U takua me avokatin e tij, Meta bën akuzën e fortë: Na monitoruan me kamera! Do t’i drejtohem Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Ish-presidenti Ilir Meta ka njoftuar se ka zhvilluar një takim të dytë me avokatin e tij, Ledi Binaku. Ai bën me dije se takimi i parë me avokatin Bianku u zhvillua më 17 korrik 2026 dhe se gjatë këtij takimi avokati kishte konstatuar praninë e një kamere në ambientin ku po zhvillohej biseda.
Sipas Metës, pas këtij konstatimi, dy mbrojtësit e tij ligjorë iu drejtuan zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.
Meta pretendon se deri në zhvillimin e takimit të dytë nuk kishte marrë përgjigje nga institucionet dhe se situata nuk kishte ndryshuar.
“Edhe takimi i sotëm me Av. Prof. Ass. Bianku është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera”, thekson Meta.
Ish-presidenti e cilëson këtë një çështje që shkon përtej një problematike administrative apo teknike, duke argumentuar se konfidencialiteti i komunikimit mes avokatit dhe klientit është një garanci themelore për ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe për një proces të rregullt ligjor.
Ndësa më tej ai paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për cenimin e garancive të Konventës dhe standardeve që lidhen me të drejtën për respektimin e konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.
Postimi i plotë:
Sot zhvillova takimin tim të dytë me avokatin e mirënjohur Prof. Ass. Ledi Bianku, të cilin e falënderoj me mirënjohje për gatishmërinë për të më përfaqësuar përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
E konsideroj të nevojshme të bëj publik një fakt serioz, që prek drejtpërdrejt ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe konfidencialitetin e komunikimit ndërmjet një personi të privuar nga liria dhe mbrojtësit të tij ligjor.
Gjatë takimit të parë, të zhvilluar më 17 korrik 2026, avokati Prof. Ass. Bianku konstatoi se ambienti në IEVP “Jordan Misja”, ku po zhvillohej takimi ynë, ishte nën monitorimin e një kamere.
Ky fakt, në vlerësimin tonë, përbën një çështje serioze të papajtueshmërisë me garancitë ligjore shqiptare dhe standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket konfidencialitetit të komunikimit ndërmjet të paraburgosurit dhe avokatit, si dhe ushtrimit real dhe efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe të përfaqësimit përpara GJEDNJ.
Për këtë arsye, me qëllim që situata të korrigjohej përpara takimit të radhës, dy mbrojtësit e mi ligjorë i janë drejtuar zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.
Pavarësisht këtij komunikimi zyrtar, deri në zhvillimin e takimit të sotëm nuk është dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtësve të mi dhe, më shqetësuesja, situata nuk ka ndryshuar.
Edhe takimi i sotëm me Av. Prof. Ass. Bianku është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera.
Ky fakt nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht administrative apo teknike. Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor, qoftë përpara gjykatave shqiptare, qoftë përpara GJEDNJ.
Çdo ndërhyrje ose monitorim i këtij komunikimi, përtej kufijve të përcaktuar qartë nga ligji, cënon vetë thelbin e kësaj garancie.
Në këto rrethana, dhe në mungesë të një reagimi institucional ndaj kërkesave të paraqitura, e konsideroj të domosdoshme të bëj publike letrën zyrtare të dy mbrojtësve të mi ligjorë, si dhe të ndjek të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të mia.
Për këtë arsye, së bashku me mbrojtësin tim ligjor Av. Prof. Ass. Ledi Bianku, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur para saj shqetësimin lidhur me cenimin e garancive të Konventës dhe, në veçanti, të standardeve që lidhen me të drejtën për një proces të rregullt, të drejtën e mbrojtjes dhe përfaqësimit efektiv, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.
Theksoj se qëllimi i këtij qëndrimi publik nuk është thjesht denoncimi i një rasti individual, por domosdoshmëria për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të garancive që duhet të jenë të padiskutueshme për çdo person të privuar nga liria që duhet të gëzojë mbrojtje efektive ligjore.
Çështja tashmë do të ndiqet në rrugë institucionale dhe juridike, në përputhje me të gjitha mjetet ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.