Zelensky e tha troç në Beograd që s’do njohin Kosovën, reagon Edi Rama: Shqipëria është e rritur, do t’i mbajmë të dyja! Ukraina e lirë, sot e gjithmonë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të bëra nga presidenti dhe miku i tij, Volodymyr Zelensky, i cili pak ditë më parë nga Beogradi dha një mesazh të qartë se Ukraina do të vazhdojë të mos e njohë Kosovën.

Kjo deklaratë e tij solli një sërë reagimesh në Kosovë e Shqipëri, ku të shumtë ishin ata të cilët kundërshtuan me forcë këtë qëndrim të presidentin ukrainas, në një kohë kur vetë vendi i tij është duke luftuar për liri.

Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i qeverisë shqiptare duke mos justifikuar këtë deklaratë të mikut të tij Zelensky, i ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që “shpërthyen” në akuza  dhe e shënjestruan atë, përfshirë këtu dhe protestuesit të cilët një ditë më parë po brohorisnin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër Ukrainës.

Përballë këtyre zhvillimeve, Rama ka bërë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë nuk kushtëzohet nga pozicioni i Kievit për Kosovën.

Sipas kryeministrit, Ukraina mund të jetë gabim në çështjen e Kosovës, por kjo nuk ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e saj për liri dhe përballjen me agresionin rus. Rama thekson se mbështetja ndaj një vendi të sulmuar nuk është një marrëdhënie shkëmbimi, ku një qëndrim i kundërt sjell automatikisht tërheqjen e mbështetjes.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, gabon për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu. Këto të vërteta mund të gjenden shumë mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e rritur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja. Pra, po: UKRAINA E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”, thekson kreu i qeverisë, duke theksuar kështu se Shqipëria mund të mbajë njëkohësisht dy qëndrime, të kundërshtojë mosnjohjen e Kosovën nga Ukraina dhe në të njëjtën kohë të vijojë të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus.

Postimi i plotë:

Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, ishte në Beograd dhe tha se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe nuk do ta njohë Kosovën.

Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos brohorasim më për lirinë dhe të mos vajtojmë më për ata që bombardohen. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan edhe ne pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë!

Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi.

Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një nder që shkëmbehet me një nder, por është ajo që ti je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të trazuar. Dhe, për fat të mirë, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që bën hesapet se kush i detyrohet kujt, por Europa e Ballkanit, që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.

Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Europën, edhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja.

Prandaj, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT