“Nëse ndryshon Kushtetuta, Meta me popullin hyjnë në Parlament”/ Paralajmërimi i fortë i Presidencës

Zëdhënësi i kreut të Shtetit, Tedi Blushi ka reaguar pas paralajmërimeve nga ana e mazhorancës socialiste, se do të ndryshojë ligjin për betimin tek Presidenti.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai thekson se ky institucion është i vetmi plotësisht legjitim e demokratik në vend. Sipas tij, Presidenti do të jetë në Parlament bashkë me popullin shqiptar.
Postimi i Tedi Blushit
Të dashur kolegë gazetarë!
Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit!
Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!