Sot Shqipëria në izolim total: Gjithçka mbyllur, askush nuk lejohet të dalë nga shtëpia

Nga dita e djeshme, e shtune në orën 13:00, sot gjatë gjithë ditës deri në 05:00 të mëngjesit, Shqipëria është në izolim total.

Askush nuk lejohet të dalë nga shtëpia.

Gjithçka është mbyllur, duke filluar nga supermarketet, farmaci e çdo biznes tjetër. Të vetmit në punë këtë të dielë, janë forcat e policisë dhe të ushtrisë në terren për të garantuar se askush nuk thyen shtetrrethimin, pjesëtarët e mediave dhe stafi mjekësor që po lufton çdo moment për jetët e personave të prekur nga COVID-19.

Prej 9 marsit kur është identifikuar personi i parë me koronavirus në vendin tonë, pacienti zero që tashmë është drejt shërimit dhe mbrëmë rezultoi negativ në testin e kryer sërish, Shqipëria ka 76 të prekur, prej të cilëve 2 viktima.

Ndërkohë, nga ora 05:00 e mëngjesit të së hënës do të vihet sërish në fuqi orari i lejimit të qarkullimit të këmbësorëve deri në orën 13:00, që siç tha kryeministri Edi Rama do të vazhdojë gjatë gjithë javës që vjen.

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur tradhtarë ata që do të shkelin shtetrrethimin të cilët sipas tij do të futen në listën e zezë.

Kështu, nga e hëna dhe deri në fund të javës, qytetarët kanë kohë 8 orë në ditë, nga 05:00 deri në 13:00 për të bërë pazaret e për të blerë ilaçet apo edhe për të mbyllur shërbimet e nevojshme në banka a institucione të tjera që këtë periudhë veçse me staf të reduktuar, po funksionojnë më së shumti online.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT