20-vjeçari francez u masakrua në Ksamil, Taulant Balla flet për besën dhe mikpritjen e shqiptarit: Humbja e jetës së një turisti nuk është në traditën tonë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Ksamil, ku turisti francez u masakrua me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përpos faktit që ka duartrokitur ndërhyrjen e Policisë së Shtetit të cilët brenda pak orësh bënë të mundur arrestimin e Vatës, ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mikpritjes shqiptare ndaj turistëve të huaj, veçanërisht në një kohë kur vendi vijon të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik.

Sipas socialistit, humbja e jetës së një turisti të huaj në Shqipëri bie ndesh me traditën e mikpritjes dhe besës shqiptare. Ai ka kërkuar që drejtësia të veprojë me vendosmëri për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin maksimal të autorit.

“Policia ka arritur të ndalojë në kohë rekord autorin e një krimi tepër të rëndë në Ksamil. Humbja e jetës së një turisti të huaj nuk është në traditën e shqiptarit. Ata vijnë në Shqipëri në besën dhe mikpritjen e shqiptarit. Drejtësia duhet të bëjë detyrën dhe shembullin!”, shkruan Balla.

Reagimi i Taulant Ballës vjen pas një operacioni të Policisë së Vlorës dhe Fierit, i cili çoi në arrestimin e 29-vjeçarit në zonën e Levanit. Sipas Policisë, Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke, 31 vjeç, ndërsa në automjet ndodhej edhe një shtetas turk 38 vjeç. Të tre personat u shoqëruan në Drejtësinë Vendore të Policisë Vlorës për veprime të mëtejshme proceduriale.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti të dyshuar mes turistit francez dhe 29-vjeçarit, i cili punonte si truprojë në kompleksin “Principotes”. Sipas të dhënave paraprake, konflikti nisi gjatë një feste dhe më pas vijoi jashtë ambienteve të lokalit, ku Mendes dyshohet se u godit me thikë.

Pas ngjarjes, 29-vjeçari u largua nga vendi i krimit dhe u vu në kërkim nga policia. Ai u lokalizua dhe u arrestua në Levan, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë është duke vijuar punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së kësaj ngjarje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT