Vajza që u plagos në hotelin e Vlorës, dërgohet në Turqi! Ministria e Shëndetësisë: Ka djegie në 85% të trupit, shpenzimet do mbulohen nga shteti shqiptar

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se vajza 25 vjeçare që u plagos gjatë zjarrit që shpërtheu në hotelin ku ajo dhe familja pushonin në Vlorë, është dërguar për mjekim të specializuar në Turqi. MSH informon se e reja ka pësuar djegie në 85% të trupit.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave mjekësore dhe administrative nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në bashkëpunim dhe koordinim me Ambasadën e Turqisë dhe autoritetet shëndetësore turke, Ana Dyrmishi do të vijojë trajtimin e specializuar në një spital në Turqi.

Vajza 25 vjeçare qëndroi nën kujdes intensiv të ekipeve të terapisë intensive (ICU) në QSUT, por për shkak të zjarrit në hotel ka pësuar djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit dhe në Shqipëri mjekët nuk mund të bëjnë më tepër.

Referuar njoftimit zyrtar, bëhet me dije se shpenzimet për trajtimin e pacientes në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar vijimësinë e kujdesit mjekësor dhe aksesin në trajtimin e specializuar për rastet që kërkojnë ndërhyrje dhe ekspertizë të avancuar jashtë vendit.

Më herët, edhe vetë familjarët e 25-vjeçares Ana Dyrmishi kanë kërkuar transferimin e saj në Turqi, me qëllim marrjen e një trajtimi mjekësor më të specializuar. Duke qenë se situata e saj shëndetësore është stabilizuar dhe mjekët kanë konfirmuar se mund të udhëtojë, vajza është dërguar në Turqi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT