Prishtinë-Beograd do udhëtohet pa pasaporta

Ndryshe prej destinacioneve tjera, qytetarët kosovarë dhe serbë do të fluturojnë në linjën e re ajrore Prishtinë- Beograd me letërnjoftime dhe jo siç ndodh rëndom me pasaporta.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj i ka thënë Top Channel se lëvizja me pasaporta mund të ndryshoje vetëm me ndryshimet që mund të bëhen në marrëveshjen finale, pasi kontrolli i linjës do të bëhet nga Agjencia e Aviacionit Civil nën menaxhimin e KFOR-it që menaxhon hapësirën ajrore të Kosovës që nga vitit 1999-të.
Ky hap pritet të ndihmojë Kosovës që të lidhet me korridoret e tjera ajrore gjë që do të ndikonte në uljen e çmimit të biletave për udhëtim.
Këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili shkroi në Twitter se “Të gjithë thanë se kjo nuk mund të arrihet. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte midis Serbisë dhe Kosovës”, derisa ambasadori në Kosovë, Philip Kosnett u shpreh se ky është fillimi i një të ardhme të ndritshme mes shteteve.