Rama “zbret” me ultimatume në Pogradec! Nga BESA te zgjedhjet e 2027, çfarë po ndodh brenda rezidencës qeveritare, kryeministri ngre zërin për drejtorët: A janë lëvizur?

Prej më shumë se dy orësh, në rezidencën qeveritare në Pogradec është duke u mbajtur mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama me 12 drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, si dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Takimi nisi pasi drejtuesit politikë mbërritën njëri pas tjetrit në rezidencën qeveritare. I pari që mbërriti ishte drejtuesi politik i Qarkut të Shkodrës, ministri Enea Karakaçi, ndërsa rreth orës 11:20 mbërriti edhe kryeministri Edi Rama.

Sipas burimeve për mediat, në pjesën e parë të takimit Rama ka mbajtur një fjalim rreth një orë, duke vendosur në qendër të diskutimeve organizimin e strukturave të Partisë Socialiste, funksionimin e pushtetit vendor dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Burimet bëjnë me dije se një pjesë e rëndësishme e fjalimit ka qenë e përqendruar te dy dokumentet e PS-së, “BESA” dhe “Prania e BESËS”. Rama ka kërkuar që këto dokumente të lexohen me rigorozitet dhe të mos mbeten vetëm në nivelin e deputetëve apo drejtuesve politikë, por të shpërndahen edhe te kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e degëve të Partisë Socialiste.

Në fokus ka qenë edhe mënyra se si këto dokumente do të përkthehen në objektiva konkrete të strukturave socialiste, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Sipas burimeve, Rama u ka vendosur ultimatum drejtuesve politikë që të zbarkojnë në terren dhe të takohen çdo ditë me qytetarët.

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë procesi i riorganizimit të bashkive. Drafti që parashikon shkrirjen e 15 bashkive ka shkaktuar debate dhe kundërshtime në disa zona, ndërsa Rama u ka kërkuar llogari drejtuesve politikë për mënyrën se si është menaxhuar kjo situatë.

Sipas burimeve, kryeministri ka kërkuar prej tyre që të ishin në “frontin e luftës” për të shpjeguar te qytetarët arsyet e reformës, duke argumentuar se bashkitë e riorganizuara synojnë të ofrojnë më shumë shërbime dhe një administrim më të shpejtë e efikas. Rama është ndalur edhe te reagimet dhe revolta që ka pasur ndaj kësaj nisme, duke kërkuar që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi për mënyrën se si e kanë përballuar situatën në terren.

*Momenti kur kryeministri mbërriti në Pogradec

Në mbledhje është folur edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë që të nisin që tani të mendojnë për emrat që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën lokale. Sipas burimeve, kërkesa ka qenë që kandidatët të jenë figura të pastra dhe të dashura për komunitetin ku dhe ata jetojnë e do të kandidojnë.

Një tjetër pikë e ngritur nga kryeministri ka qenë edhe lëvizja e drejtuesve të administratës. “A janë lëvizur drejtorët?”, mësohet të ketë pyetur Rama, duke u kërkuar kështu që të rishikohet situata në adminstratë dhe ngritur pikëpyetje se pse një individ duhet të qëndrojë për vite te tëra në drejtimin e së njëjtës strukturë, në rastet kur konsiderohet se nuk ka më çfarë të japë në atë pozicion.

Rama u është drejtuar edhe kryetarëve të komisioneve parlamentare, të cilëve u ka kërkuar më shumë kujdes në procesin e hartimit të ligjeve dhe në mënyrën se si ato përgatiten e dërgohen për miratim. Sipas burimeve, kryeministri ka kërkuar që procesi legjislativ të jetë më i kujdesshëm dhe më i koordinuar.

Mbledhja do të vijojë edhe ditën e nesërme, kur në tryezë nuk pritet të jenë vetëm ministrat. Sipas burimeve, do të marrin pjesë edhe drejtues të institucioneve të rëndësishme, përfshirë drejtues të AKSHI-t dhe institucioneve të tjera të administratës publike. Disa prej tyre pritet të raportojnë mbi problematikat dhe punën e strukturave që drejtojnë.

Në përfundim të takimeve pritet të përpilohet edhe një dokument përmbledhës, ku do të pasqyrohen diskutimet dhe çështjet e ngritura gjatë mbledhjes dyditore në Pogradec.

Ndërkohë, pasditen e sotme pritet të mbyllet pjesa e parë e takimit me drejtuesit politikë. Do të jetë kryeministri Edi Rama i cili së bashku me drejtuesit politikë do të zhvendosen në një hotel në fshatin turistik të Tushemishtit, ku është parashikuar një takim informal, në formën e një kafeje, së bashku dhe me kryetarët e bashkive të juglindjes.

Gjatë këtij takimi pritet sërish fjala e kreut të qeverisë dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste. Sakaq vlen të theksohet se si në vilën qeveritare në Pogradec, po ashtu dhe në takimet e tjera që kryeministri do të zhvillojë, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, është i vetmi kryebashkiak që e shoqëron.

Ai njihet si një prej njerëzve të afërt me kryeministrin Rama dhe sipas asaj që po flitet nëpër korridoret politike, thuhet se kryesocialisti e ka propozuar Xhakollin sërish për të qendër kandidat i së majtës në zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT