Publikohen pamjet nga mbledhja e Ramës në Pogradec, krah tij qëndron Koçiu dhe Xhakolli, socialistët mbajnë shënime (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga brenda mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me 12 drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, takim që po zhvillohet në rezidencën qeveritare në Pogradec.
Në pamjet e publikuara shihet kryeministri Edi Rama, ndërsa në krah të tij ndodhet zëvendëskryeministrja Albana Koçiu si dhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, i cili ka qenë edhe mikpritësi i këtij takimi të zhvilluar në qytetin liqenor.
Drejtuesit socialistë shihen duke mbajtur shënime dhe duke ndjekur me vëmendje fjalën e kryeministrit.
Takimi i cili ka zgjatur prej më shumë se dy orësh, vjen në një moment kur Partia Socialiste ka nisur të intensifikojë punën me strukturat në terren në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Sipas burimeve, në pjesën e parë të mbledhjes Rama ka mbajtur një fjalim rreth një orë, duke u ndalur te organizimi i strukturave të PS-së, funksionimi i pushtetit vendor dhe nevoja për një angazhim më të madh në terren.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ka qenë edhe dokumentacioni i Partisë Socialiste, “BESA” dhe “Prania e BESËS”, për të cilat Rama ka kërkuar që të njihen dhe të zbatohen jo vetëm nga deputetët dhe drejtuesit politikë, por edhe nga kryetarët e bashkive dhe drejtuesit vendorë të partisë.
Në fokus të diskutimeve ka qenë gjithashtu riorganizimi i bashkive dhe debatet e krijuara në disa zona lidhur me draftin për shkrirjen e 15 bashkive.
Kryeministri u ka kërkuar drejtuesve politikë të jenë më aktivë në terren dhe të shpjegojnë përballë qytetarëve arsyet e reformës, ndërsa përgjegjësia për komunikimin dhe menaxhimin e situatës në nivel lokal ka qenë një tjetër pikë e diskutimit.