“Kërkoj ndjesë, edhe pse nuk më takon mua”, kryebashkiaku i Pustecit falje publike pasi nuk u ekzekutua himni shqiptar

Gjatë Festivalit Folklorik Maqedonas, i cili u mbajt ditën e sotme në Bashkinë e Pustecit, u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa i Shqipërisë jo.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit ka sqaruar për mediat se nuk ishin ata pjesë të organizimit dhe ishin të ftuar në aktivitet. Gjithsesi ai kërkoi ndjesë publike dhe bëri me dije se gjatë një komunikimi që ka pasur më herët me organizatorët u ka kërkuar që të ekzekutohej edhe himni shqiptar, pasi është pjesë e protokollit.
“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar. Më kanë thënë se do të kishte këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të hapej me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohej himni maqedonas, patjetër të ishte edhe himni shqiptar, sepse kështu duhet të ndodhë në çdo pritje apo ceremoni zyrtare. Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni.
Kërkoj ndjese vërtetë sepse nuk më takon mua, sepse nuk ka qenë bashkia organizatore e këtij eventi, neve kemi qenë të ftuar, megjithatë kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë. I kemi çuar nga bashkia të tre flamujt si simbol i miqësisë i të dy shteteve që aspirojnë që tu anëtarësohen në Bashkimin Evropian.” u shpreh Kolefski..