Përfundon pas 7 orësh mbledhja e Ramës me drejtuesit politikë të PS-së, ja çfarë u diskutua sot në Pogradec, Ulsi Manja me pjatë në dorë bëhet “viral” (VIDEO)

Pas rreth shtatë orësh diskutime, ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste.
Gjatë takimit, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve është përqendruar te dokumenti “Besa” dhe mënyra se si ai mund të përmirësohet më tej, me synimin për të ndërtuar një alternativë qeverisëse më efikase dhe më pranë nevojave të qytetarëve.
Mësohet se Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të japin opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me bashkëqeverisjen, si dhe me bashkërendimin mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Në fokus ka qenë nevoja për një ritëm më të shpejtë pune dhe për një koordinim më të mirë në zbatimin e objektivave të qeverisë.
Pas përfundimit të takimit, drejtuesit socialistë i janë drejtuar një restoranti në zonën turistike të Tushemishtit, ku pritet t’u bashkohen edhe drejtues të kabinetit qeveritar.
Kryeministri Edi Rama ka qenë i pari që është larguar nga vila qeveritare në Pogradec, ndërsa darka e përbashkët pritet të zhvillohet në një prej lokaleve të zonës.
Mbledhja e cila nisi prej orës 11:20 të kësaj të diele në vilën qeveritare në Pogradec është zhvilluar larg “syrit” të medias. Mirëpo ndonëse informacionet kanë qenë të pakta, përgjatë ditës kemi raportuar lidhur me atë çfarë po ndodhte në tryezën e kryeministrit Rama.
Një tjetër moment që ka tërhequr vëmendjen gjatë ditës ka qenë edhe një pamje jo e zakonshme e ish-ministrit Ulsi Manja. Ai është parë teksa lëvizte me një pjatë në duar në momentin e drekës, një episod që menjëherë bëri xhiron e mediave dhe solli një moment më informal nga qëndrimi i socialistëve në Pogradec.