Ulen temperaturat në Korçë, stuhia e fortë dhe breshëri përfshin edhe fushën e Maliqit (VIDEO)

Zona e Korçës është përfshirë, papritur, mbrëmjen e sotme nga një mot i keq. Fshatrat e fushës së Maliqit u goditën nga një stuhi e fortë, me shi dhe breshër.
Stuhia zgjati rreth një orë, ndërsa breshëri ra për disa minuta me radhë. Ende nuk dihet nëse këto reshje kanë sjellë dëme në bujqësi, sidomos te perimet dhe pemët frutore.
Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, qarkullimi në rrugë u vështirësua përkohësisht.
Përkeqësimi i motit erdhi menjëherë pas disa ditësh me nxehtësi të lartë në qytet. Brenda pak minutash, moti u bë krejtësisht ndryshe, me shi të dendur dhe stuhi.