Rrufetë gjatë verës, si të mbrohemi dhe cilat vende duhet të shmangim

Stuhitë me rrufe janë një nga fenomenet atmosferike më të shpeshta gjatë verës. Gjeofizikanti Gabriel Rakaj shpjegon se temperaturat e larta të verës shoqërohen shpesh me ndryshime të menjëhershme të motit dhe zhvillim të stuhive me shkarkesa elektrike.
“Rrufetë janë një fenomen natyror i zakonshëm, i cili ndodh si pasojë e ndarjes së ngarkesave elektrike te retë. Shumica e rrufeve ndodhin brenda reve, ama një pjesë e tyre ndodh edhe mes reve dhe tokës”, tha Rakaj.
Gjatë një stuhie, rreziku ndryshon në varësi të vendit ku ndodhemi.
“Vendet ku njerëzit janë më të rrezikuar në radhë të parë janë vendet e hapura, sepse sigurisht rrufetë do të gjejnë pikën më të afërt të shkarkimit me tokën dhe me rezistencën më të ulët. Ka disa lloje shkarkimesh. Duhet të shmangim vendet e hapura, vendet ku ne jemi pika më e lartë apo ku pika më e lartë ndodhet pranë nesh”, tha ai.
Për të shmangur pasojat, rëndësi kanë edhe masat që merren para dhe gjatë një stuhie me rrufe.
“Sidomos gjatë sezonit të verës, kur njerëzit janë edhe me pushime dhe janë në plazhe apo në male, duhet treguar veçanërisht i kujdesshëm, sepse plazhi është një ambient i hapur. Nuk duhet të rrimë as në ambiente të hapura, as afër çadrave apo objekteve të tjera të larta, por duhet të gjejmë sa më parë strehim në momentin që shohim që stuhia po afrohet.
E njëjta gjë vlen edhe për malet, sepse malet janë pika që tërheqin stuhitë dhe rrufetë. Ka një rregull interesant për pjesën e stuhive dhe shkarkimeve elektrike, ku ne duhet të numërojmë deri në 30 nga momenti që ne e shohim vetëtimën. Në qoftë se zhurma vjen brenda 30 sekondash, atëherë ne jemi në zonën e rrezikut dhe duhet të kërkojmë menjëherë strehim. Mos të ketë pajisje metalike afër, jo afër pemëve, mjedise ku ka një objekt të lartë, siç mund të jenë antenat, pemët e me radhë”, apeloi ai.
Respektimi i këtyre masave dhe shmangia e ambienteve të ekspozuara gjatë stuhive mbeten mënyrat kryesore për të ulur rrezikun nga shkarkesat elektrike.