Gjaku “derdhet lumë” sërish në Dukagjin! Ekzekutimi i babë e bir, një muaj më parë u vra Aleksandër Koçeku, pista e hetimit

Pasditen e kësaj të diele, një vrasje e dyfishtë në zonën e Dukagjinit në Shkodër ka hedhur dyshime mbi një konflikt të hershëm, ndërsa një prej pistave që po verifikohet nga hetuesit është ajo e gjakmarrjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, ku mbetën të vrarë babë e bir, Lekë dhe Prelë Gjoni. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur rëndë edhe Lazër Bashi.

Teksa autoritetet janë duke punuar dhe vënë në “sitë” lëvizjet e viktimave dhe çdo konflikt të mundshëm që mund të ketë paraprirë atentatin, për momentin një pistat për të cilat dyshohet është ajo e gjakmarrjes.

Këto dyshimet janë ngritur dhe nga ngjarjet e ndodhura së fundmi në këtë zonë. Kujtojmë se pak më shumë se një muaj më parë, më 11 korrik, në fshatin Kir u vra 40-vjeçari Aleksandër Koçeku, i cili u qëllua me breshëri plumbash teksa lëvizte nga Kiri drejt Prekalit. Koçeku ishte pjesë e një familjeje të përfshirë më herët në një konflikt gjakmarrjeje, pasi vëllai i tij, Artan Koçeku, ndodhet në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017.

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare që të lidhin drejtpërdrejt vrasjen e sotme me atë të 11 korrikut apo me ndonjë prej konflikteve të mëparshme.

Në vendngjarje janë nisur forca të shumta policie, ndërsa terreni i thellë malor i Dukagjinit dhe mungesa e sinjalit telefonik në disa pjesë të zonës e kanë vështirësuar ndërhyrjen dhe komunikimin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT