Rreziku që po sjell një sfidë virale në rrjete sociale, 12 të vdekur në Angli dhe Irlandë

Një sfidë e re që është përhapur në rrjete sociale po bëhet shkak i aksidenteve të shumta në Angli dhe Irlandë.

Bëhet fjalë për një “trend” ku kryesisht të rinj filmojnë veten teksa ngasin makinën në drejtim të gabuar në rrugë kryesore, për ta postuar më pas videon në internet.

Brenda pak ditësh, kjo modë e rrezikshme ka lënë pas 12 viktima, mes tyre kryesisht adoleshentë, por edhe dy oficerë policie.

Rasti më i rëndë ndodhi gjatë fundjavës në Anglinë veriore, kur një Volkswagen Passat, që udhëtonte në drejtim të kundërt, u përplas me një makinë policie. Në aksident humbën jetën dy oficerë dhe pesë të rinj, të gjithë pasagjerë të veturës, me moshë nga 17 deri në 23 vjeç.

Sipas BBC-së, në një llogari TikTok tashmë të fshirë, që besohet t’i përkiste njërit prej të rinjve të vdekur, ishte publikuar një video nga marsi i vitit 2025 ku ai dhe katër shokë të tjerë shfaqeshin në atë që dukej si një ndjekje me policinë. Në një video tjetër të së njëjtës llogari shihej një shpejtësimatës që tregonte 100 milje në orë, rreth 160 km/h.

Oficerët e vrarë identifikohen si Matthew Blades, 37 vjeç, dhe Tom Clough, 38 vjeç. Policia njoftoi se ka arrestuar tashmë 12 persona në kuadër të hetimit për veprimtari të ngjashme kriminale, që kishin ndodhur para këtij aksidenti.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të këtyre videove, qeveria britanike i është drejtuar zyrtarisht kompanive të mëdha të mediave sociale, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të çdo përmbajtjeje që lartëson ose promovon drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT