“Babai është nga Kukësi!” Ish-kongresisti amerikan e rithotë: Kam një jetë që flas për shqiptarët, kur dëgjova “gur-gur bëhet mur”, kuptova shqipen

Ish-kongresisti amerikan me origjinë arbëresh-shqiptare nga Italia, Joseph DioGuardi në 37-vjetorin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Qytetar Shqiptaro-Amerikan, ka folur sërish për lidhjen e tij me shqiptarët dhe përpjekjet për çështjen shqiptare në SHBA.

Duke sjellë në kujtesë babanë e tij arbëresh, DioGuardi tregon se kishte mësuar shumë gjëra në lidhje me Shqipërinë, përfshirë këtu dhe shprehjen e famshme “Gur-gur bëhet mur”.

“Kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime duke u përpjekur t’i tregoj botës së kush jeni ju, shqiptarët.. Babai im nuk mundi ta bënte këtë, sepse nuk kishte arsimim. Ai ishte arbëresh, vinte nga Kukësi, Shqipëri. Babai im nuk kishte arsimim; ishte fermer. Kur kam dëgjuar fjalën gur-gur bëhet mur, kam filluar ta kuptoj pak gjuhën shqipe, dhe do t’i ndaj disa fjalë me ju. Babai im me tha gur-gur bëhet mur, unë i thashë mur-mur bëhet kala”, tha DioGuardi në fjalën e mbajtur gjatë takimit të sotëm.

Kush është Joe DioGuardi? 

Joe DioGuardi është një emër që lidhet me çështjen e Kosovës shumë kohë para se pavarësia e saj të bëhej pjesë e agjendës politike amerikane. Ish-kongresisti amerikan, së bashku me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi, një pjesë të jetës së tij e ka kaluar duke lobuar në Shtetet e Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve dhe, në veçanti, Kosovën.

Të dy tashmë kanë edhe një lidhje tjetër formale me vendin për të cilin kanë lobuar. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ua ka dorëzuar Joe dhe Shirley DioGuardit dekretet për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo lidhja e tij me Kosovën, daton me disa dekada më parë. DioGuardi shërbeu si kongresist republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nga viti 1985 deri më 1989.

Që gjatë mandatit të tij, çështja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi filloi të zinte vend në veprimtarinë e tij politike. Në një dëshmi të mëvonshme para Kongresit, vetë DioGuardi kujtonte se në vitin 1986 ishte paraqitur rezoluta e parë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Pas largimit nga Kongresi, në vitin 1989, DioGuardi themeloi së bashku me një grup shqiptaro-amerikanësh Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League). Organizata kishte si një prej objektivave kryesore ndërgjegjësimin e politikëbërësve amerikanë për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe ndikimin në politikën amerikane ndaj Ballkanit.

Kjo ndodhte në një moment vendimtar. Autonomia e Kosovës po shkatërrohej nga regjimi i Slobodan Millosheviçit, ndërsa represioni ndaj shqiptarëve po intensifikohej. DioGuardi dhe organizata e tij nisën ta shtynin çështjen e Kosovës brenda institucioneve amerikane, përmes kontakteve me kongresistë dhe senatorë, dëshmive dhe rezolutave.

Në vitin 1992, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ndihmoi në paraqitjen në Kongres të një rezolute të sponsorizuar nga kongresistët Tom Lantos dhe Benjamin Gilman që kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Po atë vit, organizata solli Adem Demaçin në Ëashington pas lirimit të tij nga burgjet jugosllave, ku ai zhvilloi takime edhe me zyrtarë të lartë amerikanë.

DioGuardi punoi gjatë viteve me figura të rëndësishme të politikës amerikane, mes tyre Bob Dole, John McCain, Tom Lantos, Benjamin Gilman dhe Joe Biden. Lidhja organizoi gjithashtu vizita të politikanëve amerikanë në Ballkan, në mënyrë që ata ta shihnin drejtpërdrejt situatën e shqiptarëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT