Dokumenti “Leptiri”, Prokuroria akuzon Shehollin për lidhje me shërbimin sekret serb, dyshime për plan komprometimi ndaj Kurtit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur si një nga provat kryesore kundër Fatmir Shehollit një dokument të quajtur “Leptiri”, të gjetur në telefonin e tij bashkë me shumë materiale të tjera të klasifikuara si “top secret”.

Sheholli akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Sipas aktakuzës, dokumenti ishte hartuar në vitin 2001 nga Sigurimi Shtetëror i Serbisë (RDB) dhe përshkruante një plan për të komprometuar dhe rekrutuar Albin Kurtin, në kohën kur ai ishte i burgosur në Serbi.

Sipas dosjes, dokumenti përmend një burim të fshehtë me emrin kodik “Leptiri”, i cili duhej të siguronte materiale komprometuese për Kurtin, në mënyrë që ai të detyrohej të bashkëpunonte me shërbimin sekret serb. Prokuroria thotë se ka analizuar komunikimet e nxjerra nga telefoni i Shehollit dhe ka gjetur se ai ia kishte dërguar këtë dokument disa personave, madje kishte kërkuar edhe përkthimin e tij nga serbishtja në shqip.

Gjatë marrjes në pyetje, Sheholli ka pranuar se dokumentin ia kishte dërguar fillimisht një personi të quajtur Bojan Dimiq.

Më pas, sipas tij, ai ia ka përcjellë edhe Milazim Gashit, të cilin e quan mik të tij në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) të Shqipërisë, si dhe dy personave të tjerë, Blerim Canaj dhe Bashkim Pushkolli.

Prokuroria e sheh këtë shpërndarje si tregues të lidhjeve të Shehollit me struktura të afërta me sigurinë serbe.

Mediat kosovare, që kanë parë përmbajtjen e dokumentit, raportojnë se aty Kurti përshkruhet si person i mbyllur dhe i tërhequr, dhe përmenden edhe pretendime rreth orientimit të tij seksual, të bazuara në informacione të pretenduara nga persona të ndryshëm dhe burime që deri tani janv të fshehta.

Mediat në Kosovë thonë se dokumenti pretendon se Kurti i konsideronte serbët dhe shqiptarët patriarkalë dhe të prapambetur dhe se mbronte të drejtat e njeriut e të homoseksualëve, dhe se kishte qëndrime kritike ndaj disa ish-drejtuesve të UÇK-së, si Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi.

Sipas po të njëjtit dokument Kurti nuk e shihte veten me të ardhme në Kosovë pas daljes nga burgu dhe kishte në plan të shkonte në Norvegji për të siguruar leje qëndrimi të përhershme.

Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për pretendime të përfshira në një dokument të hartuar nga shërbimi sekret serb në vitin 2001, dhe jo për fakte të konfirmuara nga vetë Kurti apo nga autoritetet

Back to top button
LAJMET E FUNDIT