PAMJE RRËQETHËSE nga Kruja, një pjesë e malit është shkrumbuar! Në ditën më të nxehtë të vitit, zjarrfikësit vijojnë punën për shuarjen totale të zjarrit

Zjarri në lagjen Abaze të Krujës raportohet se është ende i ndezur, pavarësisht ndërhyrjes së dhjetëra efektivëve të forcave zjarrfikëse të cilët prej 5 ditësh janë në terren duke punuar për shuarjen totale të flakëve. Po ashtu raportohet se një vatër zjarri është aktive dhe në lagjen Boje të Krujës.
Edhe pse termometri pritet të shënojë sot 42 gradë celcius, duke bërë që sot të jetë dita më e nxehtë e vitit, zjarrfikësit nuk janë dorëzuar, ata po vijojnë punën e tyre duke mbrojtur kështu jetën e njerëzve dhe natyrën.
Siç mund ta shikoni dhe në pamjet e publikuara mesditën e sotme nga Dorina Mema, një pjesë e malit të Krujës është akoma“ e pushtuar” nga zjarri. Ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për rrezik të banesave të zonës.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, Ministria e Mbrojtjes bëri bilancin e zjarreve në vend, ku bëri me dije se situata më alarmante paraqitet në Lurë të Dibrës.
Ndërsa për në Krujë, u njoftua se ndërhyrjet vijojnë në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet mbështetja e 58 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, së bashku me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore. Aktualisht, sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Sakaq, disa pamje të filmuara nga lart me dron, të bëra publike nga fotografi Fation Goga, paraqesin pamje rrëqethëse, ku një pjesë e malit duket totalisht e shkrumbuar. Megjithatë, edhe pse u njoftua se dita e sotme do të jetë më e ngrohta e këtij viti, ekipet e shërbimeve zjarrfikëse ndodhen në terren duke punuar intensivisht për shuarjen totale të flakëve.
Video Credits: Fation Goga