Mbahet në Dailan të Kinës takimi i tretë i zyrtarëve të Lartë të “APEC 2026”!

Takimi i Tretë i Zyrtarëve të Lartë të APEC-ut i vitit 2026 u zhvillua nga e enjtja deri të premten në qytetin bregdetar Dalian në provincën Liaoning të Kinës Verilindore.
Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu tha se, që nga nisja e “Vitit të Kinës të APEC-ut”, palët kanë thelluar shkëmbimet, kanë zgjeruar konsensusin dhe kanë përcaktuar në mënyrë paraprake shtyllat kryesore për ndërtimin e një komuniteti të Azi-Paqësorit, duke i dhënë një shtysë të re integrimit ekonomik rajonal.
Ai shtoi që, si vend pritës i APEC-ut në vitin 2026, Kina do të punojë me të gjitha palët për të nxitur bashkëpunimin praktik dhe zhvillimin gjithëpërfshirës, për të arritur rezultate konkrete në Takimin e Udhëheqësve Ekonomikë dhe për të çuar më tej ndërtimin e komunitetit të Azi-Paqësorit.
Pjesëmarrësit vlerësuan përparimin e arritur nga bashkëpunimi në fusha të ndryshme gjatë “Vitit të Kinës të APEC-ut” dhe përpjekjet e Kinës për nxitjen e ndërtimit të komunitetit të Azi-Paqësorit. Ata shprehën gjithashtu shpresat për rezultate konkrete nga Takimi i Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut në Shenzhen, me synimin për të kontribuuar më tej në zhvillimin e rajonit të Azi-Paqësorit dhe më gjerë.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, ky ishte takimi më i madh i zyrtarëve të lartë të APEC-ut këtë vit, si për nga numri i pjesëmarrësve, ashtu edhe i aktiviteteve. Gjatë tij komitetet dhe grupet e punës të APEC-ut zhvilluan afro 130 takime e aktivitete, në fusha si tregtia, transporti, ushqimi, doganat, shkenca e teknologjia, energjetika, shëndetësia, pakësimi i fatkeqësive dhe lufta kundër korrupsionit.
Në takim morën pjesë mbi 3 000 përfaqësues nga ekonomitë anëtare të APEC-ut, Sekretariati i APEC-ut dhe vëzhguesit e organizatës. Para këtij takimi, Kina kishte organizuar dy takime të tjera të zyrtarëve të lartë në Guangzhou dhe Shangai.
