“Hamendësime dhe interpretime”- Akuzat e kryeministrit malazez, reagon ministri Hoxha: Shqipëria s’është dhe s’do të jetë pjesë e skenarëve destabilizuese!

Deklaratat e kryeministrit malazez kanë trazuar jo pak ujërat gjeopolitike në rajon pas dyshimeve dhe akuzave për luftë hibride nga Shqipëria dhe Serbia në drejtim të Podgoricës zyrtare,

Reagimeve diplomatike i është bashkuar edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Kryediplomati shqiptar ka reaguar sot (28 gusht) pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga dy vende të rajonit në veprimtari të koordinuara hibride.

Hoxha thekson se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë zyrtare dhe mohon kategorikisht çdo përfshirje të saj në skenarë destabilizues në Malin e Zi apo në vende të tjera.

Reagimi i plotë i Ferit Hoxhës:

Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshëm, që duan shumë më tepër kohë për t’u shuar.

Kam parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, Spajic, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride. Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që kanë pasuar.

Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore.

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në #BE, dhe as askund tjetër.

Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.

Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimović, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj.

Kjo duhet mbajtur parasysh edhe këtu tek ne. Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme.

Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT