Kosova ose shteti që mbahet peng

Nga Leonidha Mërtiri

Deklarata e para disa ditëve në Beograd e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, i erdhi plotësisht për shtat Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pavarësisht interesave strategjike të Kievit ndaj Serbisë, por dhe i kontribuon interesave të presidentit serb, sidomos në këto momente për të, të cilat kanë qenë jo pak të vështira: Për konsum të brendshëm, por dhe për ndërkombëtarët. Kaluan mbi 18 vjetë nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe 16 vite kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, konfirmoi legjitimitetin e kësaj pavarësie. Dhe pse në Serbi, siç thotë ish presidentja e Kroacisë, Kitaroviç, janë të vetëdijshëm që Kosova nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e Serbisë, përsëri kjo është dashur ta kishte njohur dhe se njohja duhet të bëhet. Aq më tepër që është një nga kushtet për pranimin e Serbisë në BE. Pavarësisht këtyre, Vuçiç dhe ekipi i tij, duke mos hequr dorë nga qëndrimet e veta e duke shfrytëzuar dobësitë e pushtetit në Kosovë, në kontaktet me ndërkombëtarët, i kthejnë ato për interesat e tyre politike.

Kosova, mes këtij presioni dhe krizës së saj politike, në vend që të merret me ato problematika që preokupojnë vendin, ka dy vjetë që rend nëpër zgjedhje. Dy vjetë që klasa politike luan me fatet e Kosovës dhe njerëzve të saj. Në ballë të kësaj situate – kryeministri në detyrë Albin Kurti, që vazhdon të karikojë këtë amulli së toku me të ashtuquajturën opozitë, e copëzuar dhe mbetur kjo në deklarata që as ndezin dhe as shuajnë. Larg rënies në emërues të përbashkët për të ardhur në zgjidhjen e duhur përballë Albin Kurtit. Dhe thuaj se, një situatë e tillë nuk i intereson presidentit serb, i cili e duartroket atë, sikurse u ndje dhe me Zelenskyn kur ishte fjala për Kosovën. Kurse Kurti dhe ata që e ndjekin pas shtojnë jetëgjatësinë me pushtetin jo legjitim. Vuçiç, nga ana tjetër, entuziast për këtë gjendje, fërkon duart dhe bën plane për të nesërmen.

Albin Kurti, i lidhur ngushtë me retorikat patriotike, kërkon të rritë numrin e mbështetësve. Patriotizmi i tij njehsohet me të ashtquajturën “vendosmëri”, “pathyeshmëri”, që ne i mëkojmë me “tregues burrërie”, veçanërisht ndaj SHBA-së, BE-së, ndaj të cilëve ke detyrime, Shqipërisë, me aleatë të njohur tashmë, duke mbjellur tensione, përplasje dhe për rrjedhojë, duke shkaktuar luhatje në marrëdhëniet me ta. Por pushteti është i ëmbël dhe ai e do të gjithin në duart e veta dhe ashtu siç e do ai. Kurti nuk mund ta lëjë atë. Muaj të tërë për ta shtrirë rrjetën e ndikimit ku jetojnë shqiptarët(!), që nesër t’i ketë votuesit e vetë, duke lënë prapa situata konfliktuale.

Dhe vetëm javët e fundit u kujtua për konsultime me partitë e tjera. Shty sot, shty nesër dhe të gjitha sa për sy e faqe. Atij i duhet figura e presidentit, e njeriut që të mos i hapë punë. Asnjë kompromis. Presidenti duhet të caktohet prej tij, kur fare mirë, hapur, pa prapamendime, kjo zgjedhje mund t’i lihet opozitës apo me dakordësinë e të gjithëve edhe për një figurë prestigjioze, pa parti, që Kosovës nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë. Por dhe forcat e tjera politike, si LDK-ja, duket që herë bien dakord për marrëveshjen në këtë drejtim, që duhet të jetë produkt dhe i partive të tjera opozitare për shkak të numërit të votave dhe herë mohojnë ato që deklarohen kuturu. Ndërkohë, krijohet përshtypja e bisedimeve apo marrëveshjeve okulte, e një paqëndrueshmërie “ngriva, shkriva” dhe “Heroi i shqiptarëve” nuk tundet nga e tij, pa sjellur asgjë.

Kështu, e pëson shteti i Kosovës, i cili vazhdon të mbahet peng, duke i vënë vetë me duart e tyre strikëmbsha në rrugën drejt Evropës. Rituali i zakonshëm: Kalimi në zgjedhje të reja. Dhe kjo të sjell në mendje zhurmën e njohur serbe, përmes misionarëve të tyre, për të sfumuar forcën reale të Kosovës, se “shqiptarët aty, me grindjet, ambicjet ndaj njëri-tjetrit, nuk janë të zotët të bëjnë shtet, të vetëqeverisin”. Kush kërkon, dashur pa dashur, ta fryjë këtë dhe sot? Kujt i vjen pas midesë kjo? Kosova i ka treguar aftësitë e saj të dallueshme drejtuese, madje, në kushte të vështira, me liderin e saj të mënçur dhe vizionar, Ibrahim Rugova, por edhe në periudhën e mëvonshme, duke i dhënë jetë qeverisjes edhe përmes koalicionit.

Shqiptarët në Kosovë vështirë ta shfajësojnë Albin Kurtin për çka po bën dhe po sillet. Rruga e dëshiruar e tij, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, vështirë t’ia rritë më tej mbështetësit në votime, sikurse ka ndodhur dhe në zgjedhjet e mëparshme. Ata duhet t’i thonë pa ekuivok: Mjaft më me kryeneçësinë për të komanduar vetë të gjithë pushtetet. Kosova nuk ju ka asnjë borxh, veç ju i kini asaj. Duke trimëruar kështu dhe partitë e tjera opozitare. Ndryshe Kosova do të jetë në zjarrmi, shteti i saj do të vazhdojë të mbetet dhe më tej peng i orekseve të çuditshme të kryeministrit të sotëm në detyrë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT