Tenderi 6 milionë euro për rrugën dytësore kalon pengesat, gati fillimi i punimeve për industrialen nga Hygeia–Megatek

Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranojë ankesën për tenderin e Bashkisë Tiranë për rikonstruksionin e rrugës dytësore Tiranë–Durrës, në segmentin Hygeia–Megatek, me fond limit 594.9 milionë lekë pa TVSH apo rreth 6 mln euro.

Vendimi nr. 993/2026, i datës 18 gusht, i lejon autoritetit kontraktor të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.

Ankesa nga një operator ekonomik kërkonte modifikimin e disa kritereve të dokumenteve të tenderit. Ndër pretendimet e ngritura ishin kufizimet për mbështetjen në kapacitetet e subjekteve të tjera për përvojën e mëparshme, licencat profesionale, drejtuesin teknik, stafin inxhinierik dhe certifikatat ISO. U kundërshtua gjithashtu kërkesa që mjetet dhe pajisjet e deklaruara për tenderin të angazhoheshin vetëm në këtë kontratë.

KPP nuk i shqyrtoi në themel këto pretendime, pasi konstatoi se ankesa nuk plotësonte kushtet formale të nevojshme për shqyrtim.

Sipas vendimit, ankimuesi nuk kishte bashkëlidhur dokumentin bankar që vërtetonte pagesën e tarifës së ankesës. Komisioni evidenton se Bashkia Tiranë e kishte njoftuar për këtë mangësi dhe i kishte kërkuar korrigjimin e saj brenda afatit ligjor.

Autoriteti kontraktor e njoftoi ankimuesin më 16 korrik për plotësimin e pagesës së tarifës. Sipas dokumentacionit të administruar nga KPP, ankesa vazhdoi të rezultonte me statusin “Pa paguar” dhe mangësia nuk u korrigjua brenda afatit të parashikuar.

Në një shkresë të paraqitur më 11 gusht, ankimuesi pranoi se kishte marrë dijeni për kërkesën për kryerjen e pagesës, ndërsa KPP konstatoi se nuk ishte ndërmarrë veprim për korrigjimin e të metave të ankesës.

Komisioni kërkoi edhe një verifikim financiar për statusin e pagesës. Sektori i Financës së KPP-së konfirmoi se nuk ishte paraqitur mandatpagesë dhe se, sipas verifikimeve për muajin korrik, nuk ishte kryer pagesë në favor të Komisionit për ankesën në fjalë.

Në arsyetimin e tij, KPP thekson se pagesa e tarifës së ankesës dhe dokumenti bankar që e vërteton atë janë elemente të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës. Nëse mungon një prej këtyre elementeve, ankimuesi duhet ta korrigjojë ankesën brenda dy ditëve nga njoftimi; në të kundërt, ajo vlerësohet si e paparaqitur.

KPP vlerësoi se Bashkia Tiranë kishte respektuar hapat proceduralë për njoftimin dhe për dhënien e mundësisë për korrigjimin e ankesës. Për shkak se pagesa nuk u krye, Komisioni arriti në përfundimin se ankesa nuk plotësonte një prej elementeve të domosdoshme për shqyrtim dhe duhej refuzuar.

Komisioni konstatoi gjithashtu se ankesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, raporton Monitor.al.

Njoftimi i kontratës ishte publikuar më 16 qershor 2026. Për procedurat mbi kufirin e lartë monetar, ligji parashikon një afat 10-ditor për ankimimin e dokumenteve të tenderit. Sipas KPP-së, afati i fundit për paraqitjen e ankesës ishte 26 qershori, ndërsa ankesa u depozitua më 14 korrik.

KPP arsyetoi se ankesa ishte dorëzuar jashtë afatit 10-ditor dhe se kjo përbënte një tjetër shkak për mospranimin e saj. Komisioni theksoi se respektimi i afateve është “i një rëndësie thelbësore” për efikasitetin e procedurave të prokurimit publik.

Në përfundim, KPP vendosi të mos pranojë ankesën dhe të lejojë Bashkinë Tiranë të vijojë procedurën e tenderit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT