KE e “kryqëzoi” për deklaratën e tij për ndryshimin e lumit Ibër, por Vuçiç hedh akuza ndaj shqiptarëve: Nuk i respektojnë kontratat dhe marrëveshjet e arritura

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka komentuar ditën e djeshme reagimin e Komisionit Evropian ndaj deklaratës së tij për një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër. Vuçiç i është përgjigjur një pyetjeje për të komentuar deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së ujit “nuk mbështesin qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut, e pyeti nëse po i referohej dialogut për të cilin BE-ja ka vënë nënshkrimin e saj, por të cilin ata nuk e respektojnë.
“A e keni fjalën për dialogun që nënshkruat edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, a e keni fjalën për atë dialog? Apo e keni fjalën për mungesën e dialogut dhe reagimet tuaja ndaj arrestimeve të përditshme të serbëve, keqtrajtimit të përditshëm të serbëve, persekutimit të përditshëm të serbëve, prishjes së shtëpive serbe, a e keni fjalën për këtë? Dhe pastaj ju kujtuat nëse dikush do t’i ndryshonte apo jo rrjedhat e ujit”, tha Vuçiç.
Ndërsa më tej presidenti serb ka deklaruar se ndryshimi i mundshëm i rrjedhës së Ibrit është ende larg dhe se se duhet të formohet një grup pune dhe të gjenden ekspertë.
“Ne tashmë kemi disa ekspertë, na duhen edhe ata, kështu që le të shohim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë. Por ata reaguan menjëherë ndaj kësaj, për të mbrojtur ‘shërbëtorët e tyre shqiptarë’ dhe për t’u thënë edhe një herë: vazhdoni të kryeni krime”, theksoi Vuçiç.
Po ashtu Vuçiç ka deklaruar se nëse do të ishin pro dialogut, shqiptarët do t’i kishin përmbushur detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes së Brukselit, dhe ata kishin vetëm një detyrim, marrëveshjen e Brukselit.
“Dhe gjithçka u bë që ne ta përmbushnim, në mënyrë që ata të përmbushnin atë detyrim të vetëm. Dhe ata nuk e përmbushën, dhe as nuk u shkon ndërmend atyre ta përmbushin. Dhe thonë se nuk u shkon ndërmend. Dhe ju u jepni gjithçka tjetër vetëm sepse doni ta dëboni Serbinë nga Kosova. Dhe ju ende na kërkoni t’ju kërkojmë falje dhe t’ju themi sa të sjellshëm jeni, por ne jemi ‘të këqij’ dhe nuk dimë çfarë po bëjmë“, tha presidenti.
Po ashtu kreu i shtetit serb hodhi akuza ndaj shqiptarëve se nuk i respektojnë kontratat dhe marrëveshjet.
“Ata as nuk i respektojnë kontratat dhe marrëveshjet që kanë arritur dhe nënshkruar. Dhe ende po më japin leksione. Pra, nëse i jepni leksione dikujt tjetër, harrojeni mua. Ky është mesazhi im për ta”, tha Vuçiç.