ALARMOHET policia në Kombinat! 28 fëmijë me thika e kaçavida, gati për të sakatuar njëri tjetrin
Mosha nga 13 deri në 17 vjeç

Krimi po ‘infekton’ masivisht adoleshentët. Në përplasje mes disa grupeve të miturish është parandaluar në zonën e Kombinatit në Tiranë, dhe 28 fëmijë, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë.
Ngjarja u parandalua në rrugën “Llambi Bonata”, ku të miturit ishin mbledhur në grupe dhe dyshohej se do të përfshiheshin në një konflikt. Pas ndërhyrjes së policisë, ata u shoqëruan për verifikim.
Gjatë kontrollit, disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe maska, të cilat u sekuestruan. Procedurat u kryen në praninë e prindërve dhe psikologëve, ndërsa pas komunikimit me prokurorin nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 të miturit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.
Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.