“Ne prisnim para godinës së Qeverisë”, deputetja opozitare publikon VIDEON: Albin Kurti bënte qejf në pishinë në orën 7:30 të mëngjesit

Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka publikuar një video të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe pretendon se në orët e mëngjesit të sotëm ndodhej në një pishinë në Bajë të Malishevës, ndërsa opozitarët po e prisnin para ndërtesës së Qeverisë.
“Sot, në orën 7:30 të mëngjesit, kur ne po e prisnim para zyrave të Qeverisë, deputeti Albin Kurti po bënte qejf bashkë me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi e Valon Hoti, në pishinë, në Bajë të Malishevës”, shkruan Musliu.
Kosova ndodhet sërish në një moment të vështirë politik pasi partitë opozitare kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e një kandidati për President. Duke përfshirë PDK, ato refuzuan dhe takimin në Presidencë.
“Ne po prisnim para Qeverisë. Ai po notonte, i rrethuar nga një ushtri sigurie, larg zhurmës së kryeqytetit, i rrethuar me disa dhjetëra pjesëtarë të sigurimit, brenda dhe jashtë pishinës. Ky është realiteti i pushtetit që pretendon se është pranë qytetarëve”, vijon shënimi i deputetes Ganimete Musliu.
Kriza institucionale në Kosovë është krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
LVV-ja fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.