Një ditë pas vrasjes së turistit portugez, ministri i Brendshëm ka një mesazh për ata që sfidojnë ligjin

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Ksamilin, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pasi u godit me thikë nga Sokrat Vata.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto nga Saranda, Lamallari ka përcjellë një mesazh për respektimin e ligjit dhe rendit publik.

Ministri thekson se ruajtja e ekuilibrit mes të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit është thelbësore për mbrojtjen e shoqërisë. Në reagimin e tij, ai paralajmëron gjithashtu një qëndrim të fortë të Policisë së Shtetit ndaj kujtdo që sfidon ligjin apo ushtron presion dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë.

“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë. Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, shkruan ai.

Ky reagim i ministri ka ardhur vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ksamil ku turisti portugez mbeti i vdekur pasi u masakrua me thikë nga hasiani, Sokrat Vata.

Përmes një njoftimi zyrtar Policia bëri me dije se në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, Sokrat Vata dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup portugezin Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç.

Sikur të mos mjaftonte me kaq, i riu portugez u godit me grushte edhe nga David Heurtevent, i cili është shpallur në kërkim. Për rrjedhojë bëhet me dije se dyshja Sokrat Vata dhe David Heurtevent, akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë që më herër raportuam se para se 20-vjeçari portugez të goditej për vdekje me thikë, shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamarierë në lokalin “Principote”, e kanë goditur me grushte të riun dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Mirëpo arratia e tyre nuk ka zgjatur për shumë orë, pasi blutë e jugut i kanë vendosur në pranga.

Sakaq mësohet se në lidhje me vrasjen e të riut portugez janë arrestuar shtetasit: Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dy shtetasit turk Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Moisid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi. Ndërsa janë shpallur në kërkim dy shtetasit David Heurtevent dhe Bekim Bulica pronari i “Principotes”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT