“Si merr fund shteti dhe kombi shqiptar?” Agron Tufa shpërthen për shtetin sovran bektashi në Tiranë: Tradhtia nuk ka brirë më të gjatë se kaq

Shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me raportimet e fundit për përgatitjet që po bëhen për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Tufa shpreh shqetësimin e tij për zhvillimet që lidhen me projektin e shpallur dy vite më parë nga kryeministri Edi Rama, duke e parë atë në një kuadër më të gjerë dhe me pasoja që sipas tij prekin drejtpërdrejt shtetin dhe kombin shqiptar.

Reagimi i shkrimtarit vjen pas lajmeve se nisma për krijimin e një entiteti sovran bektashi në kryeqytet ka hyrë në një fazë të re përgatitore. Sipas raportimeve të publikuara më herët, po diskutohen elemente të një strukture të veçantë institucionale, përfshirë mundësinë e pajisjes me dokumente udhëtimi, një monedhë të posaçme dhe përfaqësim ndërkombëtar.

“Si merr fund shteti dhe kombi shqiptar? Nëse krijimi i një “shteti bektashi” në Republikën e Shqipërisë po përgatit dizajnin e fundit me prerjen e monedhës së vet dhe pasaportave të veta, atëherë nuk është çudi, që kjo viagër tradhtie të ngrehë në po këtë pretendim formimin e një “shteti katolik”, “shteti ortodoks” dhe “shteti mysliman suni”.  Kaq i duhet shpërbërjes së plotë të shtetit dhe kombit. Tradhtia nuk ka brirë më të gjatë se kaq. Do plasë festa, do rrihen tupanat, do shtinë topat për shuarjen e Shqipërisë dhe kombit”, shkruan ai, duke paralajmëruar për atë që e cilëson si rrezik të shpërbërjes së shtetit dhe kombit shqiptar.

Reagimi i plotë:

Si merr fund shteti dhe kombi shqiptar?

Nëse krijimi i një “shteti bektashi” në Republikën e Shqipërisë po përgatit dizajnin e fundit me prerjen e monedhës së vet dhe pasaportave të veta, atëherë nuk është çudi, që kjo viagër tradhtie të ngrehë në po këtë pretendim formimin e një “shteti katolik”, “shteti ortodoks” dhe “shteti mysliman suni”.

Kaq i duhet shpërbërjes së plotë të shtetit dhe kombit. Tradhtia nuk ka brirë më të gjatë se kaq. Do plasë festa, do rrihen tupanat, do shtinë topat për shuarjen e Shqipërisë dhe kombit.

Kryeministri tradhtar ekzekuton çdo projekt të sponsorizuar të shkatërrimit të kombit, nëse shqiptarët nuk vendosin që tani t’ia tregojnë nënën e nënës ku e ka bijë!

Çdo të thoshin vallë për këtë gjëmë Naimi e Hafiz Ali Korça? Fishta e Mjeda? Petro Nini Luarasi dhe Fan Noli?

Siç dhe raportuam një ditë më parë përgatitjet për krijimin e shtetit Sovran të Urdhërit Bektashi në Tiranë, kanë hyrë tashmë në një tjetër fazë, teksa thuhet se drejtuesit e komunitetit janë duke punuar në ndërtimin e strukturave të ardhshme institucionale dhe përfaqësimin ndërkombëtar.

Sipas një artikulli të publikuar nga “Intelligence Online”, nisma e prezantuar dy vite më parë nga kryeministri Edi Rama, është duke synuar zyrtarizimin ligjor brenda pak muajsh, e nëse kjo realizohet territori prej 11 hektarësh në kryeqytet do të shndërrohet në një entitet të pavarur administrativ.

Sipas “Intelligence Online”, po diskutohet emetimi i pasaportave zyrtare, dhe krijimi i një monedhe të vetëquajtur “bek”, e cila parashikohet të lidhjet me vlerën e arit në treg. Po ashtu thuhet se kryegjyshi botëror Baba Mondi, Edmond Brahimaj  po pret delegacione të huaja në selinë e Urdhrit, dhe janë filluar të emërohen përfaqësues në vende kyçe. Kreshnik Grezda mban rolin e ambasadorit të përgjithshëm, i shoqëruar nga emra si Christopher Hyland në SHBA dhe Hazis Vardar për hapësirën frankofone (Francë e Belgjikë), raporton “Intelligence Online”. Më tej po punohet edhe për sigurinë kibernetike si “Cyber ICS” dhe “Terra OSINT”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT