16 orë nën tokë/ Defekti në Trepçë bllokon dhjetëra minatorë, 18 ende të ngujuar

Një defekt i rëndë teknik në minierën Trepça në Stantërg ka lënë të bllokuar për më shumë se 16 orë dhjetëra minatorë, pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë natës.

Problemet nisën rreth orës 01:00, kur një trafo kryesore pësoi defekt, duke ndërprerë furnizimin me energji dhe duke paralizuar funksionimin normal të minierës.

Drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, konfirmoi se rreth 50 minatorë ndodheshin nën tokë në momentin e avarisë.

“50 minatorë kanë qenë brenda që nga ora 01:30 pas mesnate. Një pjesë e tyre kanë arritur të dalin, ndërsa aktualisht 18 minatorë janë ende brenda. Gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme dhe po punohet për të gjetur një zgjidhje alternative”, deklaroi ai.

Sipas autoriteteve të minierës, disa prej minatorëve kanë dalë në sipërfaqe përmes rrugëve alternative dhe të vështira, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbetet e izoluar në horizontet e thella të zgafellës.

Edhe anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepça, Gani Osmani, e cilësoi situatën si serioze.

“Në momentin e prishjes së trafos, në turnin e tretë ishin rreth 45 minatorë. Disa prej tyre, më të rinj dhe më të shëndetshëm, kanë dalë në këmbë përmes rrugëve të vështira dhe alternative. Aktualisht, brenda në zgafellë në horizontin e 10 dhe 11-të kanë mbetur 18 minatorë, të cilët janë pak më të moshuar dhe nuk kanë mundur të dalin”, tha Osmani.

Ai shtoi se gjendja fizike e minatorëve të mbetur poshtë tokës është rënduar pas shumë orësh izolim.

“16 orë janë poshtë dhe gjendja e tyre nuk është e mirë. Mjeshtrit janë duke punuar, por nuk e di kur do të kryhen punimet”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ekipet teknike vijojnë punën për rikthimin e energjisë dhe nxjerrjen e sigurt të minatorëve të mbetur në nëntokë.

Kjo nuk është hera e parë që minatorët e Trepça përballen me situata të tilla. Më 26 janar 2026, minatorët e ndërrimit të dytë mbetën të bllokuar për 6 deri në 7 orë për shkak të një tjetër defekti elektrik që nxori jashtë funksionit liftin e minierës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT