Ambasadori britanik në Tiranë, Abbott: Shqiptarët janë grupi më i madh i të dënuarve në burgjet e Anglisë

Pak ditë më parë, ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, përmes një letre drejtuar gazetës britanike The Guardian, kritikoi mënyrën se si zyrtarë britanikë i përmendin shqiptarët në kontekstin e kriminalitetit. Ai paralajmëroi se ky lloj diskursi krijon stereotipe dhe vendos komunitetin shqiptar në shënjestër.
Në një intervistë për Euronews Albania, ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, pranoi se statistikat duhen trajtuar me kujdes dhe se shumica e shqiptarëve në Britani jetojnë normalisht, punojnë dhe kontribuojnë në ekonomi. Megjithatë, ai shtoi se nuk mund të shpërfillet fakti që numri i shqiptarëve është më i lartë.
“Shtetasit shqiptarë janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Ky është një realitet, por nuk synon aspak të etiketojë askënd.”- tha ai
Abbott theksoi se krimi nuk mund të shihet thjesht si pa kombësi, duke iu referuar edhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama.
“Mendoj se është më e ndërlikuar se kaq. Grupet kriminale shqiptare kanë arritur të marrin kontrollin e disa fushave të krimit në Mbretërinë e Bashkuar. Në vende të tjera si Gjermania, Franca apo Holanda janë grupe të tjera. Pra, askush nuk po thotë se pas kriminalitetit në Evropën Perëndimore qëndron një mendje shqiptare që drejton gjithçka. Por ekziston një realitet, grupet kriminale shqiptare janë të përfshira fort në trafikun e kokainës dhe kanabisit.”– tha ai.
Diplomati britanik shtoi se zgjidhja nuk është etiketimi i komunitetit, por bashkëpunimi mes institucioneve për të menaxhuar rreziqet dhe për të parandaluar ndikimet shkatërruese në shoqëri.