Sokol Bizhga nuk përsërit “gabimet” e Ilir Prodës, “blindon” çdo cep të kryeqytetit për të mos u kapur në surprizë nga protestuesit e Berishës

Mbi 1400 forca policore janë angazhuar këtë të diel për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita, e cila pritet të nisë në orën 18:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta e radhës, e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, do të zhvillohet në formë marshimi, pa podium, ndërsa policia ka marrë masa të veçanta për të qenë e përgatitur për çdo situatë të mundshme. Efektivë janë vendosur jo vetëm pranë Kryeministrisë, por edhe te Parlamenti dhe institucione të tjera kyçe.

Po ashtu mësohet se efektivët janë shpërndarë edhe në disa të kryeqytetit, për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Drejtori i komanduar i Policisë, Sokol Bizhga, zhvilloi një mbledhje me vartësit e tij ku u përcollën detyrat kryesore për protestën. Ai bëri thirrje që siguria e qytetarëve dhe ruajtja e qetësisë të jenë prioritet, duke iu shmangur çdo provokimi që mund të lindë gjatë marshimit.

Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të bashkëpunojnë me forcat e policisë për një zhvillim të qetë të aktivitetit. Ndërkohë vlen të theksohet që në protestën e mbajtur më herët nga Berisha si pasojë e tensioneve të shkaktuara, u urdhërua shkarkimi i Ilir Prodës nga posti i kreut të Policisë së Shtetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT