Edhe koncesioni i Laboratorëve, 3.3 mln euro shtesë që vitin e parë

Edhe Shërbimet Laboratorike të dhëna me PPP janë shndërruar në miliona euro kosto shtesë për taksapaguesit veç asaj që është parashikuar në kontratë.

Konkluzioni, nga auditimi i koncesionit më të fundit në shëndetësi, është arritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin e auditimeve të koncesioneve.

Sipas KLSH, projekti koncesionar/PPP për ofrimin e shërbimeve laboratorike është miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, megjithëse kostot përkatëse të tij nuk rezultojnë të jenë të parashikuara në Projektbuxhetet Afatmesme përkatëse, ku vetëm për vitin e parë të operimit, rritja në financim parashikon 3.3 milionë euro.

Projekti koncesionar/PPP, sipas studimit të fizibilitetit, ka parashikuar ofrimin e shërbimit laboratorik brenda tavaneve të projektuar me tarifat përkatëse të përllogaritura për 164 analiza sipas shtojcës 7 të studimit të fizibilitetit.

Projekti koncesionar/PPP, vetëm në vitin e parë të implementimit të tij, sipas studimit të fizibilitetit, ka përcaktuar rritjen në financim të kërkuar me rreth 3.3 milionë euro nga situata ekzistuese.

Sipas argumentimit të bërë në studimin e fizibilitetit, financimi aktual vlerësohet në rreth 5.4 milionë euro dhe shpenzimi i kërkuar për implementimin e PPP në vitin e parë vlerësohet në 8.7 milionë euro.

Mekanizmi i funksionimit të PPP përfshin vendosjen e një tavani mujor buxhetor dhe faturimin e analizave nga operatori privat drejt autoritetit kontraktor, sipas çmimeve të ofruara për secilën analizë të kryer për kategoritë e përfshira për të marrë shërbimin.

Vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente, thekson KLSH.

Vendosja e kufizimeve buxhetore është e lidhur drejtpërdrejt me përballueshmërinë fiskale të projektit në kushtet e ndikimit nga të dy faktorët e supozuar në lidhje me çmimin dhe sasinë e shërbimit të kërkuar.

Në këtë mënyrë, zgjidhja e ofruar për realizimin e kësaj PPP nuk rezulton të jetë efektive në drejtim të ofrimit të shërbimit, konstaton KLSH. Dhënia e miratimit, pa u miratuar lista e çmimeve, përfshin ndër të tjera cënimin e përballueshmërisë fiskale të projektit në tërësi, duke qenë se mbështetja buxhetore përfshin pagesa për sasinë e shërbimit të ofruar sipas çmimit të përcaktuar.

Vlera totale e kontratës, sipas projektbuxhetit 2020 është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro.

Nëse kostoja do të rritet me 3.3 milionë euro çdo vit, sipas konstatimit të KLSH-së, atëherë vlera totale e saj do të rritej me 33 milionë euro, duke u rritur me 24% për të arritur në 138 milionë euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT