“Në paqe heronjtë janë të heshtur, ndërsa lufta i evidenton”

Zylyftar Hoxha nje nga bashkëpuntorët e gazetës DITA, I ka dedikuar një shkrim mirënjohjeje gjithë infermierëve, mjekëve (mes të cilëve ka edhe shqiptar) që ndodhen në vijën e parë në luftën kundër koronavirusit, Covid 19.

Lexoni postimin e plotë:

Letër nga Shqipëria

I dashur Alberto,
Mik, shok, koleg i djalit tim, Eraldit dhe bashkëshortes së tij, Leonidës; njëkohësisht mik i veçantë i gjithë familjes sime, pasi më ke ardhur në shtëpi, këtu në Tiranë, në një ditë tepër të gëzuar, në dasmën e Eraldit. Bashkë me shokët e tu, më keni lumturuar jo vetëm me pjesëmarrjen, por më tepër me gjallërinë që ju i dhatë festës, me dollitë, këngët, vallet, shakatë dhe humorin tuaj të hollë e brilant. Ua kam borxh për t’ua kthyer unë dhe Eraldi në gëzimet tuaja familjare. Ndërsa në dasmën e djalit tënd, Matteo, kampionit, do të vij paftuar për të bërë atë që bëre ti te unë.
Në statusin tënd të Facebook pash foton tuaj që keni dalë me kolegët e punës.

Një foto impresionuese me koracën mbrojtëse plastike dhe skafandrën si astronaut, ku, natyrisht, nuk dukej fytyra. Ndaj ju kishit gjetur një zgjidhje interesante identifikimi, kishit shkruar emrat me lapustil mbi uniforma. Kjo foto më ka prekur shumë, sa më shpëtuan lot nga sytë.

Ju sot ini vendosur në vijën e parë në luftë ndaj një armiku tepër të rrezikshëm, të fshehtë, të kamufluar dhe të padukëshëm. Po luftoni me vdekjen me një heroizëm të pashoq dhe të pa parë ndonjë herë në një përballje të re, në një Luftë të re Boërore. Të shëndetshëm dhe të sëmurë sytë i kanë nga ju. Se ju jeni trima dhe trimëresha të vërtetë, që e trembni vdekjen.

Unë kam një foton tuaj kur kini dalë para Luftës, të qeshur, të bukur, vitalë, shpërthyes. Ashtu ini edhe tani, por ua mbulon skafandra fytyrën. Ndërsa ju shëroni në terapinë e të sëmurit keni një terapi plus, psikoterpinë, me paraqitjen tuaj, me buzëqeshjen dhe komunikimin e ngrohtë, këtë radhë nuk mund ta përdorni dot këtë “medikament”. Por të sëmurët shikojnë përpjekjet tuaja mbinjerëzore, shikojnë lëvizjet, ndjejnë zemrën tuaj, ndërsa djersët u kullojnë çurg nën plasmas.

Ju nuk keni gur në kraharor, por keni zemër prej mishi si të gjithë njerëzit, por e bëni gur atë kur ndonjë u ikën nga duart. Krahët u shkrehen, lotët i kapërceni përbrenda, por ky moment dobësie zgjat vetëm disa sekonda, se iu pret një tjetër jetë.

Ju ini një ekip (trupë ushtarake po e quaj në këtë rast) kompakt dhe i fortë me mjekë profesionalisht të aftë, të nivelit botëror, që keni lënë gjithçka pas, familjen, gratë, fëmijët, prindërit dhe i jeni përkushtuar ditë e natë punës në betejën e madhe, të paparë këto 100 vjetët e fundit.

Në paqe heronjë janë të heshtur, ndërsa lufta i evidenton. Dhe ju, stafi i infermierëve, keni patur fat dhe e keni, që në në krye drejton një zonjë e hekurt, e shkathët dhe trime. Një heroinë legjendash, një italiane patriote e vërtetë.
Ju do t’ia dilni se i jepni forcë e shpirt njëri-tjetrit.

Ju do t’ia dilni, se me ju është jeta.

Ju do t’ia dilni, se me ju jemi edhe ne, prindërit, fëmijët tuaj, që sy, mendje dhe zemër i kemi aty te ju (Besoj se na falet ndonjë moment dobësie, kur qajmë fshehtas, mos na shohin fëmijët)!
Ju ini heronj të popullit, heronj të zemrave të plagosura, heronj të shpirtit tonë.
Përpara djem e vajza!

Ju përqafoj të gjithëve nga larg!

Babai i Eraldit,

Zylyftar Hoxha

Back to top button
LAJMET E FUNDIT