“Mund t’i kisha vrarë edhe ata…”/ Vrasja e gjyqtarit astrit Kalaja, DETAJE: Gjenden 31 plumba në makinën e Gjon Shkambit

Hetimet për ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë kanë nxjerrë në dritë prova të reja, duke përfshirë gjetjen e 31 fishekëve kalibër 9 mm në një “Mercedes-Benz” në pronësi të Gjon Shkambit, xhaxhai i të dyshuarit kryesor, Elvis Shkambi; këto u sekuestruan si prova materiale.
Sipas të dhënave hetimore, Gjon dhe Elvis Shkambi janë nisur nga Shkodra në orët e para të mëngjesit drejt Tiranës, me ndalesa në Lezhë dhe më pas pranë Gjykatës së Lartë, para se të mbërrinin në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ku ndodhi krimi.
Në dëshminë e tij para autoriteteve, Elvis Shkambi ka pranuar se ai qëlloi drejt gjyqtarit Kalaja, duke mohuar megjithatë se kishte synuar persona të tjerë. Ai është shprehur se “mund t’i kishte vrarë edhe në Shkodër, po të donte”, duke theksuar se nuk kishte konflikt me askënd tjetër dhe se gjyqtari “ishte i shtrirë, gjallë dhe i vetëdijshëm” në çastet pas të shtënave.
Shkambi ka deklaruar se armën e mbante prej rreth një dekade dhe se ishte i armatosur në çdo seancë gjyqësore ku merrte pjesë. Ai e ka motivuar veprimin si të nxitur “nga urrejtja për vendimin e gjyqtarit”, ndonëse më pas ka pohuar pendesë për aktin e kryer.
Pas të shtënave, autori ka dalë në oborrin e gjykatës dhe, sipas dëshmisë, i ka kërkuar xhaxhait të largohej nga vendi i ngjarjes. “I dhashë çelësat e makinës, por ai nuk iku. Ishte i tronditur dhe më tha: ‘Na fike!’”, ka rrëfyer Shkambi gjatë marrjes në pyetje.
Autoritetet po vijojnë verifikimet mbi origjinën e armës, lëvizjet e sakta të ditës së ngjarjes dhe rolin e mundshëm të personave të tjerë, ndërsa provat balistike dhe gjetjet në automjet pritet të shërbejnë si elementë kyç në dosjen hetimore.