Shifër e çmendur/ Fitimet nga droga 450 miliardë euro në vit, përfshihet dhe Shqipëria

Shqiptarët vijojnë të zënë një vend të rëndësishëm në menaxhimin e trafikut të kokainës në Itali. Në një intervistë për Ora News, Kreu i Antimafias Italiane Federico Calfiero De Raho deklaron se në shumicën e rasteve ata bashkëpunojnë me grupe kriminale vendase, por edhe në mënyrë individuale.

Për autoritetet italiane, Shqipëria mbetet sërish vendi kryesor i prodhimit të mariuanës. Autoritetet e drejtësisë italiane shprehin shqetësimin e rritjes së influencës së shqiptarëve në trafikun e kokainës dhe drogave të tjera në vendin fqinj. Kreu i Antimafias Italiane, Kryeprokurori Federico Calfiero De Raho, thotë se trafikantët shqiptarë kanë rol të rëndësishëm në Itali, duke bashkëpunuar edhe me mafien vendase.

“Grupet kriminale shqiptare kanë tashmë një përfaqësim të madh në territorin italian ku ekzistojnë grupe shqiptare që menaxhojnë trafikun e lëndëve narkotike, herë në aleancë me grupet mafioze italiane, e herë në autonomi.

E ky fakt dëshmon se aktiviteti kriminal shqiptar në Itali është veçanërisht i gjerë e shtrihet dhe në vendet e tjera të Evropës. Vetë kjo mafia menaxhon importimin e kokainës nga vendet prodhuese e ka ngritur një rrjet për pritur e marrë këto ngarkesa me drogë në porte të ndryshme të detit Tirren e në Evropën Veriore” – deklaroi Federico Calfiero De Raho.

Sipas De Rahos, “Shqipëria është një vend me të cilin kemi vendosur një raport e bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës, por që po impenjohet në sfidën e luftës ndaj saj, Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm i tranzitit të drogës si dhe mjaft vende të tjera, por e identifikoj më shumë si një vend i prodhimit e transportit të marijuanës se sa një vend për tranzitimin e kokainës

Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Antidrogë në Itali, Gjeneral Giuseppe Cuçhiara, thotë se Shqipëria mbetet vend i rëndësishëm i prodhimit të marijuanës.

Në një aktivitet për politikat antidrogë organizuar në Romë ku mori pjesë edhe Shqipëria u theksua se rrugët e trafikimit të drogave janë në evolucion të vazhdueshëm që nga avionët deri te nëndetëset, materialet e ndërtimit, automjetet etj. Afera ekonomike e biznesit të drogës në botë përllogaritet të jetë 450 miliardë euro në vit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT