Fushata kundër Kosovës, Kurti: Kërkoj që SHBA-të e BE-ja ta shtojnë trysninë mbi Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit se edhe një tjetët shtet afrikan e ka hequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës.
Kurti ka shkruar në “Facebook” se shteti serb, vullnetit të mirë të Kosovës për heqjen e pjesshme të taksës, po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së ç’njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalë këtë ofensivë.
“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkroi ai.
Kryeministri ka shtuar se Kosova ka treguar që ka vullnet për marrëdhënie normale dhe korrekte me Serbinë.
“Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, tha Kurti.
Kujtojmë se minsitri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç bëri me dije se shteti afrikan Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet.