Franca dhe Gjermania po përgatisin një tjetër samit për Kosovën dhe Serbinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel njofton se Gjermania dhe Franca po koordinohen për të ndërmjetësuar një tryezë të re Kosovë-Serbi. Nga Uashingtoni, presidentët Thaçi dhe Vuçiç, kërkojnë dialog pa kushte.
Gjermania dhe Franca planifikojnë një Samit të Paris si ai i 29 prillit 2019 në Berlin, për të normalizuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë.
Kjo është konfirmuar për gazetën “Blic” nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel.
Sipas të përditshmes serbe, nëse Kosova shfuqizon tarifën menjëherë, mbledhja e zyrtarëve nga Prishtina dhe Beogradi nuk do të jetë e largët.
“Gjermania mbështet plotësisht vazhdimin e shpejtë të dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, nën kujdesin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Zhuzeb Burej,” njoftoi zyra e kancelares Merkel.
Zhvillimi vjen ndërsa të hënën presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të njëjtat tema.
“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë. Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve, dhe që fundi i dialogut të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur me një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke, jo më pak ose më shumë, nën integritetin e tanishëm territorial,” deklaroi Thaçi
Në takimin e organizuar nga emisari i posaçëm i SHBA-së, Riçard Grënell, dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brajën, Vuçiç theksoi se për të vazhduar dialogu është kusht heqja e tarifës 100%.
Qeveria kosovare me kryeministër Albin Kurtin ka thënë se heqja do të vijë gradualisht nëse Serbia ndal fushatën kundër pavarësisë së vendit, por kjo duket e vështirë pasi të martën kryediplomati serb Ivica Daçiç konfirmoi se shteti i Afrikës Perëndimore, Sierra-Leone, ka tërhequr njohjen e Kosovës.
Lajmi erdhi gjatë vizitës së Daçiç në vend, ku ai tha se me 92 shtete, tashmë Kosova nuk ka më shumicë mbështetëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.