UEFA akuzon Infantinon se e detyroi të dëmshpërblente të dashurën e tij, kreu i FIFA-s e punësoi dhe i rriti rrogën

Nuk ka të sosur beteja mes UEFA dhe FIFA, me të parën që do me çdo kusht ‘kokën në tepsi’ e kreut të së dytës.
Lufta kundër Xhani Infantinos po ndizet gjithnjë e më shumë dhe tashmë në Angli janë publikuar detajet edhe për jetën e tij jashtë fushave të lojës, me një histori personale që lidhet me abuzimin me pushtetin të presidentit aktual të FIFA-s.
Sipas “The Telegraph”, në periudhën kur ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, në vitet 2009-2016, kishte marrëdhënie intime me një punonjëse të kësaj organizate dhe në fund për ta larguar nga puna, i kishin paguar asaj një dëmshpërblim gjashtëshifror.
Sipas gazetës britanike, gruaja në fjalë kishte pasur një rol administrativ të thjeshtë në UEFA, por falë lidhjes me Infantinon ishte ngritur në detyrë, duke përfituar rritje prej 30% të rrogës, rreth 160 mijë franga zvicerane.
Përveç kësaj, ajo ishte paguar pas largimit nga UEFA edhe me një master në Administrim Biznesi që i kushtonte organizatës 45 mijë stërlina në vit, ndërsa Infantino e kishte ndihmuar të gjente një punë të re.
UEFA ka konfirmuar gjithçka për gazetën. “Jemi në dijeni të akuzave dhe mund të konfirmojmë që për personin në fjalë është kryer një pagesë në momentin e ndërprerjes së raportit të punës, bashkë me financimin e pagesave universitare për një master në një shkollë biznesi lokale. Kjo lloj pagese ishte në përputhej më rregulloret asokohe për personelin që largohej”, kishte konfirmuar organizata.
Por sipas gazetës, vendimi për largimin e nëpunëses së UEFA-s kishte ardhur pas një përplasje mes Platini dhe Infantinos. Platini, i cili në ato vite ishte president i UEFA-s, i kishte bërë të ditur Infantinos se rritja në detyrë e të dashurës kishte krijuar telashe dhe e kishte detyruar që ta largonte. “Ose largohet ajo, ose ti”, mësohet të ketë thënë në një moment Platini. Dhe Infantino zgjodhi të mbronte karrierën.
Zbulimi i kësaj ngjarje padyshim që ka shërbyer për të goditur Infantinon, i cili është i martuar prej më shumë se 20 vitesh me Lina al-Ashkar dhe kanë së bashku katër fëmijë.