SHBA paralajmëron: Putin mund të testojë unitetin e NATO-s duke sulmuar një vend anëtar

Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se presidenti rus Vladimir Putin mund të tentojë të testojë vendosmërinë dhe unitetin e NATO-s duke ndërmarrë një sulm të kufizuar ndaj një vendi anëtar të Aleancës gjatë viteve të ardhshme.

Sipas burimeve të njohura me vlerësimet e inteligjencës amerikane, skenarët e mundshëm përshkallëzimi variojnë nga një sulm kibernetik deri te një inkursion i kufizuar ushtarak, i projektuar për të vënë në provë angazhimin e NATO-s ndaj nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ky nen përcakton se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.

Një prej burimeve tha për CNN se zonat më të mundshme për një përshkallëzim rus do të ishin vendet baltike ose Polonia. Megjithatë, koha dhe mënyra se si mund të veprojë Moska mbeten të paqarta. Sipas vlerësimeve amerikane dhe të NATO-s, rreziku mund të rritet nëse Putin nuk arrin një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë që do t’i mundësonte të ruante një dalje politike nga konflikti, përcjell A2 CNN.

NATO ka deklaruar se nuk komenton vlerësime të klasifikuara të inteligjencës, por thekson se është duke përgatitur skenarë të ndryshëm dhe është e gatshme të mbrojë territorin e vendeve anëtare.

Shqetësimet janë shtuar pas disa incidenteve të fundit. Në shtator, avionë të NATO-s rrëzuan dronë rusë që kishin shkelur hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi ndaj Ukrainës. Ndërsa këtë javë, në aeroportin e Leipzig/Halle në Gjermani u zbulua një dron i pajisur me eksplozivë. Një zyrtar amerikan tha se inteligjenca amerikane e lidh atë me një shërbim rus.

Paralelisht, SHBA përballet me shqetësime për rezervat e municioneve dhe interceptorëve të mbrojtjes ajrore, të reduktuara ndjeshëm nga konfliktet e fundit. Përpjekjet diplomatike amerikane dhe evropiane për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë kanë ngecur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT