Defekti në sistemin e kondicionimit shkrumbon në Lushnjë furgonin që transportonte zogj fushe nga Maqedonia e Veriut! Shoferi…

Një defekt në sistemin e kondicionimit është bërë shkak për përfshirjen e një furgoni transporti që vinte nga Maqedonia e Veriut dhe importonte zogj fshati me destinacion jugun e Shqipërisë.
Ngjarja dramatike ndodhi sot në zonën e Lushnjës, pranë fshatit Këmishtaj, por pa të lënduar. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, si dhe ekonomike, pasi më shumë se gjysma e zogjve janë djegur apo kanë ngordhur.
Nga hetimet paraprake mësohet se drejtuesi i furgonit e ka konstatuar zjarrin vetëm pasi ka dalë nga autostrada dhe ka marrë kthesën në drejtim të Këmishtajt.
“Pas njoftimit të marrë, shërbimet e zjarrfikëses së Lushnjës kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke ndërhyrë për të shuar flakët që kishin përfshirë kabinën e drejtuesit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, dëmet kanë qenë të mëdha: një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës është dëmtuar dhe më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur”, thanë burime policore që po hetojnë ngjarjen.
Sipas vlerësimeve paraprake nga shërbimi zjarrfikës i Lushnjës, dyshohet se zjarri ka startuar si pasojë e një defekti teknik në sistemin e kondicionimit në pjesën e prapme ku mbahej ngarkesa. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe pret ekspertizën piroteknike.