Skandali i shitjes së organeve në tregun e zi, Universiteti i Harvardit do të paguajë 53 milionë dollarë dëmshpërblim!

Universiteti i Harvardit ka arritur një zgjidhje prej 53 milionë dollarësh, duke i dhënë fund një sërë padish të ngritura nga familjet e donatorëve të trupave, raporton BBC.

Të afërmit e të ndjerit akuzuan Shkollën Mjekësore (HMS) të institucionit për neglizhencë të rëndë dhe keqtrajtim të trupave të të dashurve të tyre. Rasti doli në dritë kur u zbuluan veprimet e ish-drejtorit 58-vjeçar të morgut, Cedric Lodge.

Lodge shfrytëzoi pozicionin e tij në “Programin e Dhurimit Anatomik” dhe, midis viteve 2018 dhe 2021, disektoi kufoma të destinuara për qëllime edukative dhe kërkimore, duke i kanalizuar organet e tyre për shitje online në tregun e zi, së bashku me gjashtë persona të tjerë jashtë universitetit.

Long u dënua me tetë vjet burg, gruaja e tij me një vit e një ditë, ndërsa në vitin 2025 edhe pjesa tjetër e personave të përfshirë pranuan fajësinë.

Në të njëjtën kohë, megjithëse paditë civile të familjeve kundër institucionit u rrëzuan fillimisht, Gjykata Supreme e Masaçusetsit i rivendosi ato, duke vendosur se universiteti kishte anashkaluar shkeljet e Long për vite me radhë.

Sipas marrëveshjes së paraqitur në gjykatën e Bostonit dhe siç raportohet nga i njëjti botim,  Harvard do të krijojë fonde të posaçme kompensimi me vlerë miliona dollarë për të afërmit e viktimave.

Në një letër të përbashkët, dekani i Shkollës së Mjekësisë, George Daly, dhe dekani i arsimit mjekësor, Bernard Chang, i quajtën veprimet e Long “moralisht të dënueshme dhe në kundërshtim me standardet e institucionit”.

Për të nderuar donatorët, shkolla njoftoi gjithashtu krijimin e një burse vjetore për studentët e mjekësisë, duke filluar nga viti akademik 2027-2028, duke theksuar se, pavarësisht përfundimit të procesit ligjor, procesi i shërimit për familjet dhe komunitetin akademik mbetet i gjatë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT