Identifikohen mbetjet kockore të së paku 23 personave në varrezën masive të Zubin Potokut në Kosovë! Prokuroria: Tre persona nën akuzë

Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se në Zubin Potok, në lokacionet ku dyshohet se ka varre masive, bazuar në vlerësimet preliminare janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve.
“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, u tha në njoftim.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe gërmimet janë kryer në Kalludër të Vogël, Jakubë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.
Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Gërmimet në këtë zonë janë duke u zhvilluar prej javësh në tri lokacione në Zubin Potok, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën, pas një hetimi rreth dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
“Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.
Më 15 gusht, autoritetet kishin njoftuar se në Kalludër ishin gjetur mbetje eshtërore të të paktën tre personave, informon REL.
Njoftimi i Prokurorisë së Kosovës:
“KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS, PROKURORIA SPECIALE DHE INSTITUTI I MJEKËSISË LIGJORE
Prishtinë, 19 gusht 2026
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.
Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikaur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit”.