Normalizohet situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: Vetëm 4 vatra aktive, nuk ka rrezik për banesat! Ja zonat ku vijon aksioni

Normalizohet ndjeshëm situata nga zjarret në Shqipëri, teksa ka rënë numri i vatrave aktive dhe është rritur ai i atyre që janë shuar apo që mbahen nën kontroll nga Emergjencat.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend deri në orët e pasdites së sotme (19 gusht), duke njoftuar se deri në orën 14:00 janë regjistruar gjashtë vatra zjarri.

Katër prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim.

Në terren janë angazhuar 126 forca operacionale vendore. Ndërkohë, Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Një nga vatrat aktive është në Dajt të Tiranës, ku operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të MZSH-së dhe 5 forca të AZM-së. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

“Në Priskë, po në Tiranë, forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen pas riaktivizimit të vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon me intensitet të ulët. Në terren ndodhen 8 forca të Shërbimit Pyjor dhe 4 zjarrfikës, të mbështetur me një automjet zjarrfikës. Edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Tërbun të Pukës, operacioni vijon për hapjen e korridoreve ndarëse, pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri. Situata është nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për banesat”, thotë ministria mes të tjerash.

Përmirësim raportohet edhe në Gurë-Lurë, ku zjarri është shuar dhe zona vijon të mbahet nën monitorim. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar dhe operacionet vijojnë me forcat lokale.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe angazhimin në terren.

Sipas përditësimit të orës 14:00, situata paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nuk ka rrezik të raportuar për zonat e banuara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT