Qeveria propozon një Dhomë të re Ekonomike Kombëtare! Biznesi, anëtar me detyrim!

Një Dhomë e re Ekonomike Kombëtare pritet të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit të biznesit në Shqipëri.

Një draft i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit i hedhur për konsultim parashikon që subjektet aktive në Regjistrin Tregtar të bëhen automatikisht anëtare.

Pas dy viteve të para pa pagesë, tarifat mund të arrijnë deri në 70 mijë lekë në vit, në varësi të madhësisë dhe aktivitetit të biznesit.

Për subjektet që nuk janë objekt i tatimit mbi fitimin, tarifa parashikohet 1 mijë lekë në vit. Mos shlyerja e detyrimit parashikohet si kundërvajtje administrative.

“Në këmbim të këtij detyrimi financiar, Dhoma do të ketë funksione përfaqësuese dhe shërbime për sipërmarrjen, nga mbështetja në procedurat e regjistrimit dhe licencimit, deri te certifikatat e origjinës dhe dokumentet për tregtinë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Struktura e re synon gjithashtu t’i japë biznesit një rol më të madh në konsultimin dhe hartimin e politikave ekonomike.

“Projektligji parashikon një periudhë tranzitore njëvjeçare për kalimin nga sistemi ekzistues në strukturën e re. Gjatë kësaj faze parashikohet funksionimi i një Komisioni të Përkohshëm Teknik dhe organizimi i zgjedhjeve të para të organeve drejtuese. Kostoja e tranzicionit vlerësohet në rreth 15.4 milionë lekë. Pas kësaj periudhe, Dhoma pritet të financohet nga tarifat e regjistrimit, shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme”, thuhet në njoftim.

Projektligji synon një sistem më të unifikuar dhe më transparent të përfaqësimit, por për bizneset pika më e ndjeshme mbetet tarifa dhe anëtarësimi me detyrim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT