Planifikoi vrasjen e amerikanit, arrestohet shtetasi rus në Poloni, kryeministri Tusk jep detaje

Kryeministri polak Donald Tusk ka njoftuar se një shtetas rus është arrestuar nën dyshimin se ka planifikuar vrasjen e një shtetasi amerikan me origjinë ukrainase në Varshavë.

Në deklaratën për mediat të bërë të enjten, Tusk nuk bëri të ditur identitetin e personit që dyshohet se ishte objektivi. Megjithatë, ai tha se shtetasi amerikan konsiderohej “i papërshtatshëm për regjimin e Putinit” dhe se autoritetet polake e arrestuan të dyshuarin më 7 gusht.

Tusk shtoi se ky rast përbën incidentin e parë të njohur ku “dikush me urdhër të Rusisë” vendos të sulmojë një shtetas amerikan në territorin e një vendi tjetër anëtar të NATO-s. Ai e cilësoi ngjarjen si një “sinjal shumë të rrezikshëm” dhe falënderoi shërbimet polake të sigurisë.

Në momentin e fundit, falë veprimit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme dhe policisë, arritëm ta parandalojmë këtë ekzekutim, këtë sulm”, tha Tusk.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ky plan i dyshuar vjen në një kohë kur janë shtuar kërcënimet që lidhen me Rusinë, e cila është akuzuar për vrasjen e kritikëve të saj jashtë vendit, përfshirë përmes vrasësve me pagesë dhe helmimeve.

Që prej 24 shkurtit 2022, Rusia është përfshirë në një luftë në shkallë të gjerë me Ukrainën, pas nisjes së pushtimit që u drejtua edhe në drejtim të kryeqytetit ukrainas, Kievit.

Presidenti rus Vladimir Putin, megjithatë, e ka lidhur pjesërisht konfliktin me NATO-n, duke akuzuar aleancën ushtarake se synon të zgjerojë ndikimin e saj drejt lindjes. NATO ka mbështetur Ukrainën politikisht dhe me ndihmë ushtarake, duke theksuar se vendi i Evropës Lindore ka të drejtë të vetëmbrohet.

Megjithatë, pasojat e luftës janë ndier në të gjithë rajonin. Vendet evropiane kanë shprehur shqetësim në rritje për qëndrimin agresiv të Rusisë, ndërsa avionët ushtarakë rusë kanë fluturuar vazhdimisht pranë hapësirës ajrore të NATO-s.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT