Nuk është thjesht çështje protokolli

Nga Leonidha Mërtiri
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Cristijan Mickoski ishte këto ditë në Pustec, për të marrë pjesë në një aktivitet të kësaj zone. Në hapje të ceremonisë, ndërsa himni maqedonas u ekzekutua, himni ynë kombëtar, i cili njihet dhe si himn i flamurit, mbeti i përjashtuar.
Si mund të ndodhte kështu? Simbolet kombëtare personifikojnë historinë, kulturën e një vendi. Në reagimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme nënvizohet qartë: Respekti për simbolet kombëtare në Pustec është pjesë e respektit për qytetarët, bashkëjetesën demokratike, si një element i rëndësishëm i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha mes dy vendeve.
Po përse nuk u ekzekutua himni ynë? Sepse paragjykimet e së djeshmes, të njohura tashmë, në forma të ndryshme rrinë zgjuar ndën hi dhe nxjerrin krye dhe trup në momente të veçanta, edhe pse marrëdhëniet dypalëshe është dashur të kalojnë përmes vështirësish të shumta. Janë këto nacionalizma ekstreme apo delire antishqiptare që kërkojnë të toksikojnë ecurinë e këtij bashkëpunimi në rrugën e përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që mbrojnë ngjyrat e diskriminimit etnik, kundër bashkëjetesës.
Ajo çka ndodhi në Pustec, mendoj se nuk është padije e protokollit. Është hera e dytë që ndodh e njëjta gjë, sikurse ka ndodhur dhe më parë me grisje të flamurit apo me parrulla kundër shqiptarëve. Pavarësisht bashkëpunimit të mirë me fqinjët tanë, me këta të fundit nuk mund të mjaftohemi me një deklaratë. E themi këtë se nuk është rastësi, por dhe as të dëgjojmë parafabrikatin e hershëm se “ka elementë që nuk e shikojnë me sy të mirë mbarëvajtjen e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”. Mirëpo, vizita kryesohej nga kryeministri i vendit që është dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE, të cilën ai e drejton prej nëntë vjetësh, pas largimit të Nikola Gruevskit. Kjo parti është e njohur për historinë e saj antishqiptare, qysh nga themelimi, në 1990.
Ana tjetër. Kryeministria ka një department protokolli, Ministria e Jashtme gjithashtu ka një Drejtori të Protokollit Diplomatik që paraprijnë me programin për vizitën e Kryeministrit, pas një komunikimi të përbashkët me palën pritëse. Gjithçka është e qartë. Atëherë çështje harrese? Sikurse nuk duhet dhe ne ta shtyjmë në harresë. Fjala nuk është kurrsesi për të krijuar tensione, por dhe as për ta reduktuar reagimin në një deklaratë. E themi këtë se nga pala maqedone vazhdon të heshtet. Heshtja nuk është reagim, por udhë për të ecur më tej me lehtësi qëndrime të tilla.
Me sa duket, hijet antishqiptare, sidomos të VMRO-DPMNE-së qëndrojnë, megjithatë, të gatshme të shfaqen në forma të ndryshme si në Pustec. Shqipëria u kushton vëmendje të veçantë marrëdhënieve me fqinjët, sikurse në këtë rast me Maqedoninë e Veriut. Historia e marrëdhënieve tona dypalëshe është dëshmitarja më e mirë. Shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut pas divorcit me Beogradin kërkonte forcimin e bashkëpunimit me fqinjët. Dhe, siç deklaronte në ato vite Ministria e Informacionit të shtetit të ri maqedonas, “Maqedonisë i mbetet në afat sa më të shkurtër të shqyrtojë interesat e veta dhe nevojat për bashkëpunim me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë dhe të reagojë me kohë në këtë drejtim”. Për këtë qëllim u shpejtua vizita zyrtare në vendin tonë e një delegacioni qeveritar, kryesuar nga kryeministri Nikolla Klusev, e cila u mbyll me vizitën e tij po në Pustecin që po flasim sot.
Ishim nga vendet e para që e njohëm shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe kur u bllokua nga të tjerët, sidomos për daljen në det, Shqipëria i krijoi gjithë lehtësitë përmes portit të Durrësit, me dëshirën e vazhdueshme për bashkëpunim të gjithanshëm. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë të përkushtuar për shtetin e tyre. Por ky përkushtim nuk mund të jetë i njëanshëm.
Anatemimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe izma të tjera nuk mund të mos vlerësohen seriozisht nga qeveria e Mickoskit, për të ruajtur Marrëveshjen e Ohrit, nënshkruar 25 vite më parë, që i dha ndër të tjera, legjitimitetin rritjes së të drejtave të shqiptarëve, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, çështje që lidhen me arsimin, simbolet e të tjera. Pra, për një vizion të përbashkët për të sotmen dhe të nesërmen, për t’u mbyllur derën tensioneve etnike, që ato të mos nxiten apo të hyjnë nga dritarja.