Kompania greke distancohet nga ngjarja në Ksamil: Bekim Bulica na ka vjedhur emrin, ata nuk kanë asnjë lidhje me “Principote Mykonos”

Principote Mykonos, një nga bizneset më të njohura në zonën e Mykonos, ka reaguar në lidhje me vrasjen e turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, duke sqaruar se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi me Principotes të Bekim Bulicës.
Madje, siç thuhet në një deklaratë, klabi në Ksamil po përdor në mënyrë të paligjshme emrin e markës së tyre dhe tashmë, pas vrasjes së turistit, ata kanë nisur procedurat ligjore. Konkretisht, në të thuhet:
“Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një lokal që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me dyqanin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, me qëllim që të korrë ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë.”
Kompania thekson se ka ndërmarrë veprime ligjore kundër biznesit shqiptar, duke e akuzuar atë për konkurrencë të padrejtë dhe për përpjekje për të përfituar nga reputacioni ndërkombëtar që Principote Mykonos ka ndërtuar gjatë shumë viteve.
Emri i Bekim Bulicës nuk është i panjohur për kronikën e zezë në vendin tonë, por jo vetëm. Përpara se emri i tij të lidhej me bizneset në Ksamil, Bulica ishte përballur me drejtësinë për një ngjarje të ndodhur në Kukës dhe në vitin 2021 u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Sipas njoftimit të Policisë të publikuar në atë kohë, Gjykata e Kukësit kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me një ngjarje të shtatorit 2019, ku ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një shtetasi me inicialet F. C. Bulica u kap në Francë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2021.
Por dosja e tij nuk do të mbyllej me kaq. Në gusht të vitit 2021, emri i Bekim Bulicës u përmend edhe në hetimet për një plan të dyshuar arratisjeje nga burgu “313” në Tiranë. Sipas raportimeve që janë bërë aso kohe. Bulica ishte një prej të dënuarve që po hetohej se kishte dijeni mbi planin e arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit.
Një tjetër episod ku emri i tij u shfaq në media lidhet me një ngjarje të dhunshme të vitit 2023 në Tiranë, ku policia njoftoi për një përplasje dhe dhunim të një efektivi policie dhe vëllait të tij. Në atë kohë, një prej personave të arrestuar ishte Blerim Bulica, ndërsa Bekim Bulica dhe persona të tjerë u shpallën në kërkim. Po ashtu emri i tij është lakuar gjerësisht më herët nga mediat franceze në lidhje me hetime për një rrjet shqiptar të dyshuar për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale.