Elvis Kosovës i vendosen prangat në jug, u kap me armë në brez! Kush është “Visi i garave”, nga dashuria për “adrenalinën”, te tritoli dhe atentati në Rinas

Policia e Shtetit ka arrestuar mesditën e kësaj të diele Elvis Kosovën, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe mediat. 40-vjeçari është vënë në pranga pasi është kapur duke mbajtur pa leje një armë zjarri, tip pistoletë.
Arrestimi i tij është kryer në jug të vendit, ku shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë pas konstatimit të armës. Kosova është shoqëruar dhe më pas është arrestuar, ndërsa arma e zjarrit është sekuestruar si provë materiale.
Ngjarja rikthen në vëmendje emrin e Elvis Kosovës, i njohur prej vitesh për aktivitetin e tij në fushën e automjeteve dhe garave me makina, por edhe për disa episode të mëparshme që e kanë përballur me Policinë dhe organet e drejtësisë.
Kosova, i njohur edhe si “Visi i Garave” është bërë i njohur në publik për pasionin ndaj automjeteve sportive dhe garave të shpejtësisë. Në vitin 2021 ai mori pjesë si përfaqësues i Shqipërisë në një garë “Drag Race” të zhvilluar në Kosovë, ku rezultoi fitues me një automjet sportiv.
Një vit më pas, emri i tij do të përfshihej në një tjetër ngjarje të lidhur me garat e makinave. Në vitin 2022, Policia e Lezhës nisi procedim ndaj Kosovës pas publikimit të pamjeve nga një garë e paligjshme në aksin Laç-Mamurras. Sipas Policisë, automjetet kishin bllokuar qarkullimin dhe gara kishte shkaktuar grumbullim njerëzish dhe prishje të rendit e qetësisë publike.
Në atë kohë, Kosova u procedua për disa vepra penale dhe ndaj tij u vendos edhe masë administrative. Sipas asaj që u tha atëhere ai u identifikua si një prej organizatorëve të garës dhe se më pas automjeti i përdorur në të u gjet në një servis.
Emri i Kosovës u rikthye në kronikën e zezë në gusht të vitit 2024, kur ai u arrestua së bashku me një shtetas turk në kuadër të një hetimi për përvetësimin përmes mashtrimit të një automjeti luksoz.
Sipas Policisë, shtetasi turk kishte marrë me qira në Gjermani një automjet “Audi”, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri. Më pas, automjeti i ishte dorëzuar Kosovës, ndërsa shtetasi turk kishte bërë kallëzim duke pretenduar se makina ishte vjedhur. Automjeti, me vlerë të raportuar rreth 200 mijë euro, u gjet më pas dhe u sekuestrua nga Policia.
Për këtë ngjarje, Policia njoftoi në atë kohë arrestimin e Kosovës dhe shtetasit turk, ndërsa një person tjetër u shpall në kërkim.
Në korrik të vitit 2025, emri i Elvis Kosovës u bë sërish pjesë e kronikës, këtë herë pasi në hyrje të garazhit të tij u vendos një sasi lënde plasëse.
Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit dhe shkaktoi dëme materiale në garazh, në ambiente përreth dhe në disa automjete të parkuara aty pranë. Hetimet e Policisë çuan në identifikimin dhe shpalljen në kërkim të një 36-vjeçari, i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse.
Elvis Kosova është përmendur gjithashtu nëpër media edhe pas atentatit të Rinasit ku humbi jetën Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani.
Në atë kohë, në media u raportua se automjeti me të cilin udhëtonin dy personat ishte i lidhur me kompaninë e Kosovës. Vetë Kosova reagoi publikisht duke mohuar se automjeti ishte në pronësinë e tij personale dhe tha se nuk e mbante mend të kishte pasur më parë një makinë të tillë, duke sqaruar se automjeti rezultonte në emër të kompanisë.
“As nuk e mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë këtë makinë. Nuk është në emrin tim fare, është në emër të kompanisë. Sa makina hyjnë e dalin nga kompanitë e mia, s’di, s’kam fjalë me këto. Zot na ruaj.”, shkruante Vis Kosova në një koment në rrjete sociale.