Skema e re për fermerët, shteti do të mbulojë një pjesë të sigurimit ndaj ngricave, breshërit, përmbytjeve dhe zjarreve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka njoftuar se është drejt përmbylljes puna për ngritjen e një skeme të re të sigurimeve në bujqësi, e cila synon të mbrojë fermerët dhe prodhimin bujqësor nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Salla tha se vendimi vjen pas takimeve me fermerë në të gjithë vendin dhe shqetësimeve të tyre për dëmet e shkaktuara nga ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret.
“Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, u shpreh ai.
Skema synohet të jetë e aksesueshme si për fermat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha, duke u ofruar fermerëve më shumë siguri përballë ngjarjeve të paparashikueshme që mund të dëmtojnë prodhimin dhe të ardhurat e tyre.
Një nga elementët kryesorë të skemës do të jetë mbështetja nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit. Kjo pritet të ulë kostot për fermerët dhe ta bëjë sigurimin më të përballueshëm.
“Fermeri nuk duhet të mbetet vetëm përballë një stuhie, një ngrice apo një zjarri që mund të dëmtojë punën e një viti të tërë”, deklaroi Salla.
Sipas ministrit, skema synon të rrisë mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor, duke e bërë atë më të përgatitur për përballimin e rreziqeve që lidhen me fatkeqësitë natyrore.
Salla theksoi se puna do të vijojë për të kthyer shqetësimet e ngritura nga fermerët në masa konkrete mbështetëse.
“Me sigurimet në bujqësi, synojmë të krijojmë më shumë mbrojtje, më shumë siguri dhe më shumë qëndrueshmëri për fermerët, duke ndërtuar kështu një bujqësi shqiptare më të fortë dhe më të përgatitur për çdo sfidë”, u shpreh ai.