Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, Berisha: Ripërtëritja kusht për rikthimin në pushtet. S’kemi krizë lidershipi, por mungesë organizimi e komunikimi

Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i ripërtëritjes së partisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se kjo është një nga detyrat më të rëndësishme të forcës politike që drejton, me synim rikthimin e besimit të qytetarëve dhe ardhjen në pushtet.
Berisha u shpreh se, nëse fjala “rithemelim” shërbeu për ta “mbrojtur PD-në nga tentativat e kryeministrit Edi Rama për ta vendosur atë nën kontroll”, tashmë motoja e re duhet të jetë “ripërtëritja”. Berisha tha se procesi i ripërtëritjes do të nisë brenda vetë partisë dhe më pas do të shtrihet në të gjitha nivelet e saj.
“Detyra jonë është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së. Nëse fjala ‘rithemelim’ e shpëtoi PD-në nga tentativat e Ramës për ta vendosur atë nën kontroll, motoja ‘ripërtëritje’ do të bëjë të mundur ardhjen e PD-së në pushtet. Kaq jetike është ripërtëritja.
Duhet të japim motivimin për ta çuar përpara ripërtëritjen, procesin më jetik që kemi nisur në PD. Do ta fillojmë nga vetja dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet”, tha Berisha.
Kryedemokrati e lidhi nevojën për ndryshim edhe me situatën në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që ndodhet në “sallë urgjence”.
Duke iu referuar kundërshtarit politik, Berisha tha se qeveria ndodhet në një situatë të vështirë, duke pretenduar se ka pësuar rënie të ndjeshme në sondazhe, sidomos pas protestave të zhvilluara në vend.
“Sot vendi është në një ‘sallë urgjence’ dhe ka nevojë jetike për ripërtëritje. Vendi ka nevojë për ripërtëritjen e ekonomisë, të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor. Turizmi duhet të çlirohet nga kapitali kriminal.
Duhet të rikthejmë shpresën e humbur dhe të shmangim shpopullimin. Kjo realizohet vetëm nga një PD e ripërtërirë. Ripërtëritja jonë është kushti themelor për fitimin e besimit të shqiptarëve. Kundërshtari ynë ka 29 për qind rënie në sondazhe, pra është në vdekje politike, edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Protesta e ka plagosur Edi Ramën për vdekje në pikën e tij më të dobët, sondazhin. Sondazhet e kanë nxjerrë Edi Ramën me 29 pikë në rënie pikiatë. Edi Rama po zhytet në një spirale pa kthim pas”, tha ai.
Duke iu referuar një studimi për ecurinë dhe ripërtëritjen e PD, Berisha tha se konkluzioni është se partia nuk përballet me krizë idesh apo lidershipi, por me një sfidë strukturore dhe organizative.
Sipas Berishës, komunikimi brenda PD-së është i fragmentuar, ndërsa vendimet e lidershipit nuk përkthehen gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme në veprime dhe mesazhe konkrete në strukturat e partisë.
“PD nuk përballet me një krizë idesh, lidershipi apo rëndësie politike. Ajo përballet me mungesën e një sistemi të brendshëm koherent, të aftë për të përkthyer qëllimin politik në veprim organizativ të koordinuar. Një sfidë strukturore kjo. Pavarësisht se zotëron një strukturë formale të përcaktuar të qartë, partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara. Përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe përkthimi i vendimeve të lidershipit në mesazhe të zbatueshme, është i paqëndrueshëm”, tha Berisha.
Ai tha se PD ka nisur një proces modernizimi të mënyrës së organizimit dhe komunikimit, duke vënë theksin te përdorimi i teknologjisë, mjeteve dixhitale, të dhënave dhe inteligjencës artificiale.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është mungesa e një burimi të vetëm dhe autoritar nga i cili anëtarët dhe strukturat e PD-së të marrin informacion të qartë mbi qëndrimet zyrtare të partisë.
“Gatishmëria për të përqafuar mjetet dixhitale, proceset e bazuara në të dhëna dhe teknologji të reja, si inteligjenca artificiale, tregojnë një kuptueshmëri se modernizimi organizativ nuk është vetëm një zgjedhje, por një kusht themelor për efikasitetin politik, reagimin e shpejtë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë. Anëtarët nuk kanë asnjë burim të vetëm autoritar nga i cili ata mund të marrin informacion për një qëndrim të partisë”, tha Berisha.