Berisha mbledh Këshillin Kombëtar të PD dhe akuzon socialistët: Kjo verë shkriu narkoshtetin dhe teserat e PS! Agasi mafiozi më i rrezikshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi sot (27 gusht) Këshillin Kombëtar të PD-së, ku ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se zhvillimet e kësaj vere kanë demaskuar plotësisht funksionimin e atij që e quajti “narkoshtet”.

Gjatë fjalës së tij Berisha denoncoi menaxhimin e zjarreve që përfshinë vendin gjatë muajve të verës, duke pretenduar se fondet e emergjencave civile u përdorën për koncerte me qëllim shuarjen e protestave.

Ai nënvizoi se paralelisht me vatrat e zjarrit u dogjën edhe teserat e Partisë Socialiste nga vetë anëtarët e saj në Poliçan, Divjakë, Dimal e Tiranë.

Lideri i opozitës u ndal te shembja e propagandës teknologjike, duke përmendur rastin e Ermal Beqirajt dhe dhënien e tenderave milionësh edhe pas hetimeve. Ai komentoi gjithashtu prangosjen e biznesmenit Ergys Agasi, të cilin e cilësoi si “mafiozin më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe Evropës Juglindore pas padrinos Rama”.

Sipas Berishës, kjo verë shkriu edhe propagandën e drejtësisë së re, duke akuzuar kryeministrin për kontroll mbi SPAK-un. Ai përmendi lirimin nga qelia të ish-ministrit Ilir Beqaj, duke e krahasuar me rastet e Saimir Tahirit e Vangjush Dakos, ku sipas tij asnjë para e vjedhur nuk iu kthye qytetarëve.

Në përmbyllje, kryetari i PD-së përmendi dosjen “Albanian Files”, ku 523 projektet e evidentuara i quajti “523 arsye për ta çuar Ramën në qeli”.

Berisha paralajmëroi gjithashtu se shqiptarët rrezikojnë të paguajnë një faturë prej 500 milionë eurosh gjobë për shkak të ndërhyrjeve të njëanshme të qeverisë në projektin e Aeroportit të Vlorës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT